Kosova U21 përballet sonte me Qipron, synohet fitorja e dytë radhazi
Një raport i ri ka paralajmëruar për përhapjen e gjerë të kimikateve potencialisht të rrezikshme në produktet plastike të përdorimit të përditshëm, nga ambalazhet e ushqimeve dhe lodrat e fëmijëve te veshjet, produktet e higjienës dhe pajisjet mjekësore.
Gati 93% e kimikateve të njohura që përdoren në plastika të zakonshme paraqesin rrezik të lartë për shëndetin e njeriut, sipas një analize të re të publikuar nga Fondacioni për Drejtësinë Mjedisore (EJF), organizatë mjedisore me bazë në Londër.
Autorja kryesore e raportit, Naima Fenderl, tha se studiuesit analizuan efektet që këto substanca mund të kenë në organizëm dhe i krahasuan ato me nivelet e ekspozimit për të vlerësuar rrezikun e përgjithshëm për shëndetin.
Sipas raportit, dëmet potenciale përfshijnë kancerin, ndryshimet gjenetike, çrregullimet hormonale, dëmtimin e sistemit riprodhues dhe toksicitetin ndaj organeve.
Analiza nxjerr në pah përqindje të larta të kimikateve të konsideruara me rrezik në një gamë të gjerë produktesh.
Sipas të dhënave të raportit rreth 92% e kimikateve në plastikat që bien në kontakt me ushqimin konsiderohen me rrezik të lartë, rreth 89% e lodrave për fëmijë përmbajnë plastikë të klasifikuar me rrezik të lartë, rreth 93% e tekstileve dhe veshjeve janë prodhuar me kimikate të konsideruara të rrezikshme, më shumë se 92% e produkteve të zakonshme shtëpiake, përfshirë shishet e ujit, enët e kuzhinës, pajisjet e kopshtarisë dhe artikujt e zyrës, përmbajnë kimikate me rrezik të lartë, rreth 93% e produkteve plastike të higjienës dhe përdorimit mjekësor përmbajnë substanca të tilla.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga raporti lidhet me mungesën e të dhënave shkencore.
Nga 3,552 kimikate të analizuara që përdoren në plastikat e zakonshme, rreth 80% nuk kanë të dhëna të mjaftueshme për të përcaktuar toksicitetin ose rrezikun e ekspozimit ndaj tyre.
Raporti është kundërshtuar nga Këshilli amerikan për Kimi, shoqata që përfaqëson industrinë e prodhimit të kimikateve në Shtetet e Bashkuara.
Kimberly Wise White, zëvendëspresidente për çështjet rregullatore dhe shkencore në organizatë, tha për CNN-in se raporti duhet parë me kujdes të konsiderueshëm, duke argumentuar se analiza nuk përfshin disa burime të rëndësishme të të dhënave, përfshirë databaza të industrisë dhe kuadrot rregullatore të SHBA-së dhe Bashkimit Evropian.
Sipas saj, mënyra e përzgjedhjes dhe paraqitjes së të dhënave mund të krijojë pasqyrë jo të plotë mbi statusin rregullator të këtyre kimikateve.
Një pjesë e rëndësishme e shqetësimeve lidhet me disa grupe të veçanta kimikatesh që përdoren gjerësisht në plastikë.