Një studim i ri nga studiues të Institutit Kombëtar të Kancerit në SHBA ka zbuluar se ushqimet e shumëpërpunuara, si kategori e përgjithshme, nuk lidhen domosdoshmërisht me rrezik më të lartë për kancerin kolorektal, i cili prek zorrën e trashë dhe rektumin, ka shkruar NBC News.
Studimi përfshiu mbi 460 mijë të rritur, të cilët u ndoqën për 23 vjet. Në fund të periudhës së studimit, rreth 10 mijë pjesëmarrës ishin diagnostikuar me këtë lloj kanceri.
Rezultatet treguan se ushqimet e përpunuara nuk kanë të gjitha të njëjtin ndikim të mundshëm në shëndet. Disa produkte që përmbajnë kalcium, fibra dhe drithëra integrale, si buka, drithërat e mëngjesit dhe disa produkte të ngrira, u shoqëruan me rrezik më të ulët të kancerit kolorektal. Ndërkohë, mishi i përpunuar, si sallamet, proshuta dhe salsiçet, u shoqërua me rrezik më të lartë.
Erikka Loftfield, autore e studimit dhe studiuese në Institutin Kombëtar të Kancerit, ka theksuar se termi “shumëpërpunuar” nuk tregon vetvetiu nëse një ushqim është i shëndetshëm apo jo.
“Vetëm termi ‘shumëpërpunuar’ nuk është një tregues i besueshëm për të përcaktuar nëse një ushqim është i shëndetshëm, bazuar te vlerat ushqyese”, u shpreh ajo.
Sipas saj, duhet të studiohet më tej nëse përbërës të caktuar ose aditivët ushqimorë ndikojnë në rrezikun e kancerit.
Edhe doktori Andrew Chan, gastroenterolog dhe studiues i kancerit, i cili nuk ishte pjesë e studimit, ka theksuar se marrëdhënia mes ushqimeve të shumëpërpunuara dhe kancerit është më e ndërlikuar nga sa mund të duket.
“Mesazhi i studimit është se lidhja mes ushqimeve të shumëpërpunuara dhe kancerit është e ndërlikuar. Klasifikimi që përdorim sot ka kufizimet e veta”, ka thënë ai.
Megjithatë, studiuesit paralajmërojnë se rezultatet nuk përjashtojnë mundësinë që dieta të ndikojë në zhvillimin e kancerit kolorektal, sidomos te të rinjtë. Studime të mëparshme kanë gjetur lidhje mes konsumit të lartë të ushqimeve të shumëpërpunuara dhe kancerit kolorektal te burrat, si dhe polipeve parakanceroze te gratë nën moshën 50 vjeç.
Hulumtimet e viteve të fundit kanë lidhur gjithashtu konsumin e lartë të këtyre ushqimeve me obezitetin, diabetin e tipit 2, sëmundjet e zemrës, depresionin dhe rënien e funksioneve njohëse.
Ekspertët theksojnë se ende nuk dihet me siguri nëse rreziku lidhet kryesisht me sasinë e sheqerit dhe kripës, aditivët, apo me faktin se ushqimet e përpunuara zëvendësojnë produktet e freskëta dhe ushqimet e plota në dietën e përditshme.
Çka duhet pasur parasysh?
Studimi nuk do të thotë se të gjitha ushqimet ultra të përpunuara janë të padëmshme. Ai tregon se nuk duhet të gjykojmë një ushqim vetëm nga shkalla e përpunimit, por edhe nga përbërja dhe vlerat ushqyese.
Sipas ekspertëve, dieta e ekuilibruar, me fruta, perime, drithëra integrale dhe fibra, si dhe me konsum të kufizuar të mishit të përpunuar, si dhe ushtirmet fizike, mbeten zgjedhje e arsyeshme për shëndetin.