Studentët e mjekësisë në Shqipëri- Presidentit Begaj: Mos e dekreto ligjin ose 2 tetori do jetë kaos për mjekësinë shqiptare

Një grup studentësh të mjekësisë janë pritur, ditën e sotme, nga presidenti i Republikës, Bajram Begaj. Në përfundim të takimit të tyre, studentët kanë bërë me dije se i kanë paraqitur kreu të shtetit sugjerimet e tyre dhe argumentet përse e kundërshtojnë ligjin, e për rrjedhojë i kanë kërkuar që të mos e dekretojë.

“Presidenti dhe këshilltari i tij na dëgjuan me vëmendje me të gjithë problematikat dhe argumente. Kemi dhënë zgjidhjet tona dhe argumentet. Kërkuam mosdekretimin e ligjit nga presidenti, por ai tha se do të bazohet në Kushtetutë dhe në sugjerimet që kemi dhënë, por çfarë do merret më pas, jemi në pritje. Do vazhdojmë takimet zyrtare”, tha një prej studentëve.

Nga ana tjetër, ato kanë theksuar se në rast se zëri i tyre nuk do të dëgjohet, do të bojkotohet viti i ri akademik.

“Ne rekomandojmë që të rishqyrtohet ky ligj, që të përfshihet një konsultë me grupet e interesit, të kemi politika ftuese ndaj nesh, jo detyrim. Ne nuk jemi dakord me ligjin, por do e kundërshtojmë deri në fund. Viti i ri akademik do të bojkotohet, 2 tetori do jetë një kaos për mjekësinë shqiptare, se ne nuk duam që të vazhdojmë në të tilla kushte”, u shpreh një tjetër studente.

Studentët e mjekësisë janë shprehur kundër vendimit të qeverisë për t’i mbajtur ata 5 vite në Shqipëri pas specializimit, ose në të kundërtën do duhet të paguajnë më shtrenjtë shkollimin e tyre. Sipas tyre, vendimi është i njëanshëm dhe antikushtetues./a2news/

Read Previous

Republika e Çekisë emëron ambasador në Kosovë për herë të parë

Read Next

Mbahet manifestim për përvjetorin e 25–të të betejës së UÇK–së në Kallavaj