Sot ora 11:00: PDK në Kuvend, a do t’i përgjigjet VV kësaj radhe?

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ka bërë sërish thirrje për vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, duke njoftuar se sot, e hënë, 24 gusht, nga ora 11:00 do të jetë në sallën e Kuvendit.

PDK ka njoftuar se ftesa i është drejtuar kryesuesit të seancës konstituive sipas moshës, Avni Dehari, me kërkesën që të thërrasë vazhdimin e seancës dhe të procedohet me konstituimin e Kuvendit.

Megjithatë, deri më tani, nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila është partia në pushtet, nuk ka pasur përgjigje ndaj kësaj ftese. Sipas PDK-së, përgjigje nuk është marrë as ndaj ftesave të mëparshme për vazhdimin e seancës.

Kjo situatë vjen pasi në seancën e fundit kryetari i VV-së, Albin Kurti, kërkoi kohë për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit.

PDK ka kritikuar qasjen e partisë në pushtet, duke e cilësuar atë si cenim të rendit kushtetues dhe duke kërkuar që procesi i konstituimit të Kuvendit të vazhdojë në përputhje me Kushtetutën, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregulloren e Kuvendit.

Sot, mbetet të shihet nëse VV do t’i përgjigjet ftesës së PDK-së dhe nëse do të ketë zhvillime konkrete drejt vazhdimit të seancës konstituive.

Read Previous

​Kryeministri britanik Burnham do të vizitojë sot Kievin

Read Next

Kurti e Abidxhiku ende pa propozim për president