Policia e Kosovës ka njoftuar se ka sekuestruar dy armë zjarri pa leje nga dy të dyshuar.
“Me datën 07.08.2024 Stacioni Policor në Gjakovë ka sekuestruar dy armë zjarri të llojit pistoleta të mbajtura pa leje përkatëse nga dy persona të dyshuar meshkuj kosovarë”, ka njoftuar PK.
Policia ka bërë me dije se operacioni policor është ndërmarrë pasi të dyshuarit publikuan një fotografi ku ekspozonin armët e zjarrit.
“Pas një hetimi të shpejtë, një patrullë policore dhe njësia e hetimeve janë nisur drejt vendbanimeve të të dyshuarve (fshati Gërqinë-Gjakovë), ku janë sekuestruar armët e zjarrit”, thuhet në njoftim.
Pas konsultimit me prokurorin e shtetit, rasti u tha se është iniciuar si “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Po ashtu njoftohet se të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt, dhe hetimet për këtë rast do të vazhdojnë.
Policia e Kosovës thotë se mbetet e përkushtuar në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike./rtklive