Seanca e radhës ndaj ish-krerëve të UÇK-së mbahet më 22 korrik

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka përfunduar seanca e së enjtes në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Seanca e radhës në këtë çështje gjyqësore u caktua më 22 korrik 2025.

Në seancën e 22 korrrikut, do të diskutohet për ecurinë e çështjes në këtë rast, pasi mbrojtësi i viktimave ka përfunduar me dëgjimin e dëshmitarëve që kishte thirrur, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Trupi gjykues, i kryesuar nga Charles Smith III tha se në këtë konferencë do të flitet për hapat procedural që të jetë gjithçka gati për konferencën e mbrojtjes që do të mbahet pas pushimit të verës.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Read Previous

Prokurorisë Themelore në Prishtinë i shtohen edhe dy prokurorë

Read Next

Von der Leyen bën thirrje për taksa të reja të BE-së mbi firmat e mëdha