Schwabe: Kosova i ka plotësuar kushtet për anëtarësim – renditet para disa shteteve që tani janë anëtarë të Këshillit të Evropës

Frank Schwabe, deputeti gjerman social-demokrat, në një intervistë për “Deutsche Welle” të martën, deklaroi se Kosova i ka plotësuar kushtet për anëtarësim në Këshill të Evropës (KiE), ndërsa shtoi se vendi është dukshëm më përpara në aspektin e demokracisë e të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit sesa disa shtete të tjera që tani janë anëtarë të organizatës.

“Në këtë aspekt, do të thoja se Kosova në thelb i plotëson këto kushte. Por me vendimin që do të marrim do të ketë një listë të tërë, disa faqe, të obligimeve që Kosova duhet t’i përmbushë dhe t’i marrë”, tha Schwabe, ndërsa shprehu nevojën që Kosova të anëtarësohet në KiE sa më shpejt për shkak të mundësisë së krijimit të rrethanave të reja gjeopolitike në botë.

Në prag të prezantimit të raportit para Komisionit të Çështjeve Politike dhe Demokracisë nga raportuesja për Kosovën, Dora Bakoyannis, deputeti gjerman u shpreh optimist se raporti që bën thirrje për anëtarësimin e Kosovës do të marrë votat e nevojshme në Asamblenë Parlamentare të KiE-së (APKE) që pritet të ndodhë të mërkurën (27 mars).

“Unë jam nga ata që mendoj se duhet të shikojmë vetëm situatën në Kosovë. Dhe kushtet për anëtarësim tani janë plotësuar. Jam shumë i sigurt se do të arrijmë një shumicë prej dy të tretash në nivel parlamentar dhe shpresoj që këtë do ta marrim edhe në nivel qeverie”, shtoi ndër të tjera kryetari i delegacionit gjerman dhe i gruipit më të madh parlamentar në APKE.

Kosova aplikoi për anëtarësim në KiE në maj të vitit 2022, por mos zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit ishte bërë pengesë që vendi i vogël ballkanik të vazhdojë rrugëtimin drejt anëtarësimit të plotë, posaçërisht sepse të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit janë dy vlerat themelore mbi të cilat bazohet panteoni i kombeve evropiane.

Do të duhen 2/3 e votave në APKE, ku marrin pjesë deputetët nga parlamentet e shteteve anëtare, për t’i rekomanduar Këshillit të Ministrave që ta ftojë Kosovën të bëhet anëtarja më e re e KiE-së. Kjo, nëse gjithçka shkon sipas planit, pritet të ndodhë gjatë samitit që pritet të mbahet në mes të majit në Islandë. Deri atëherë, shteti ka terren të madh për të mbuluar./Albanianpost.com

Read Previous

ZRRE tregon nëse do të ketë shtrenjtim të rrymës

Read Next

Batusha: Ka përfunduar studimi i fizibilitetit për rrugën Istog, Pejë, Deçan, Gjakovë, Prizren