Ancelotti mbron Viniciusin: Ka nevojë për durim, ai ende mund të bëjë diferencën
Manchester City mund të përballet me një prej dënimeve më të rënda në historinë e Premier League, pasi një komision i pavarur e ka shpallur fajtor klubin për shkelje të rënda të rregullave financiare gjatë një periudhe nëntëvjeçare.
Premier League konfirmoi të martën se Manchester City është gjetur fajtor për të gjitha akuzat që lidhen me shkeljet serioze financiare për periudhën nga sezoni 2009/10 deri më 2017/18, ndërsa tre nga katër akuzat për mosbashkëpunim me hetimin gjithashtu janë provuar.
Sipas vendimit, City kishte përdorur marrëveshje të ashtuquajtura “sham”, përmes të cilave të ardhurat nga sponsorizimet paraqiteshin më të larta sesa ishin realisht. Komisioni ka konstatuar gjithashtu se disa prej këtyre marrëveshjeve financoheshin pjesërisht nga Abu Dhabi United Group, kompania që zotëronte klubin.
Sipas Premier League, këto skema kanë ndikuar në mënyrë artificiale në rritjen e të ardhurave dhe uljen e kostove të Manchester Cityt me më shumë se 900 milionë funte gjatë periudhës së prekur. Për pasojë, klubi kishte paraqitur llogari jo të sakta dhe kishte fshehur gjendjen reale financiare nga auditorët dhe rregullatorët.
Tash vëmendja është zhvendosur te dënimi.
Premier League ka bërë të qartë se sanksioni nuk është vendosur ende. Ai do të trajtohet në një seancë të veçantë para të njëjtit komision të pavarur. Rregullorja i jep komisionit një gamë të gjerë mundësish, përfshirë gjoba, zbritje pikësh dhe masa të tjera sportive, deri te përjashtimi nga liga.
Ekspertët kanë diskutuar prej kohësh për një zbritje jashtëzakonisht të madhe pikësh.
Eksperti i financave të futbollit, Kieran Maguire, kishte parashikuar më herët se një dënim mund të shkonte në 60, 80 apo edhe 100 pikë, bazuar në natyrën dhe kohëzgjatjen e shkeljeve. Një zbritje e tillë do ta vendoste Cityn në një situatë të jashtëzakonshme sportive dhe do ta ekspozonte ndaj rënies nga Premier League.
Raportime të reja në Britani kanë përmendur një interval prej 60 deri në 100 pikësh si një prej skenarëve që po diskutohet nga ekspertët. Një tjetër skenar i përmendur është ai i një zbritjeje prej 50 pikësh, e cila në rrethana të caktuara do të mund ta çonte klubin drejt zonës së rënies.
Megjithatë, këto shifra nuk përbëjnë dënimin zyrtar. Deri tani, Premier League nuk ka njoftuar asnjë zbritje pikësh dhe nuk ka përcaktuar nëse City do të përballet me rënie nga kategoria apo me ndonjë tjetër masë sportive.
Në skenarin më të rëndë, rregullat lejojnë edhe përjashtimin nga Premier League. Kjo mundësi është përmendur në analizat ligjore dhe sportive të rastit, por nuk do të thotë se një vendim i tillë është marrë.
Një tjetër çështje e madhe është e ardhmja e titujve të fituar nga City gjatë periudhës që mbulohet nga akuzat. Raportime në Britani kanë ngritur mundësinë e heqjes së titujve të Premier League të fituar në vitet e prekura, por edhe kjo mbetet pjesë e diskutimit rreth sanksionit dhe nuk është vendosur zyrtarisht.
Manchester City, ndërkohë, e ka kundërshtuar vendimin dhe ka bërë të ditur se synon të apelojë. Klubi ka argumentuar se vendimi përmban gabime materiale në aspektin ligjor dhe faktik. Sipas Premier League, City ka afat deri më 2 tetor për të ushtruar të drejtën e apelit.
Kështu, pas gati tetë vitesh nga nisja e hetimit, çështja e “115 akuzave” ka hyrë në fazën vendimtare: City është shpallur fajtor, por ende nuk dihet nëse dënimi do të jetë gjobë, një zbritje masive pikësh, humbje e titujve apo një masë edhe më e rëndë sportive.
Çfarë thotë klubi?
Manchester City ka reaguar pas publikimit të opinionit të Komisionit të Premier Ligës, duke shprehur zhgënjim dhe habi për vendimin.
Në një deklaratë zyrtare, klubi anglez ka insistuar se është i pafajshëm ndaj akuzave të ngritura nga Premier Liga dhe ka theksuar se posedon prova që, sipas tij, mbështesin qëndrimin e klubit.
“Klubi është i pafajshëm për akuzat e bëra nga Premier Liga dhe ekziston një sasi e plotë provash të pakundërshtueshme në mbështetje të të gjitha qëndrimeve të tij, në lidhje me këtë rast. Prandaj, Klubi do të jetë i paepur dhe, kur është e nevojshme, proaktiv në çdo forum të përshtatshëm rregullator dhe ligjor.”, thuhet në deklaratën e Cityt.
Klubi ka bërë të ditur se do të ndjekë të gjitha rrugët e mundshme të apelimit dhe procedurat ligjore e rregullative.
Manchester City pretendon se opinioni i publikuar përmban gabime të qarta materiale në aspektin ligjor, parimor dhe faktik, duke e konsideruar atë të pasigurt.
“Procesi i Premier Ligës mbetet në vazhdim, me elementë të rëndësishëm të papërfunduar. Manchester City FC tani do të ndjekë rrugët e apelimit që i janë hapur, mbi bazën se opinioni përmban gabime të qarta materiale, ligjore, parimore dhe faktike, dhe është i pasigurt. ”, thuhet më tej.
Klubi gjithashtu ka deklaruar se gjatë tetë viteve të fundit ka respektuar procesin e rregullt, duke pritur që organet drejtuese të Premier Ligës të vepronin si rregullator i pavarur, i paanshëm dhe i drejtë.
City ka shtuar se është i kufizuar në atë se çfarë mund të deklarojë më tej, deri në përfundimin e të gjitha procedurave të ardhshme. /KosovaPress/