Sa kushton organizimi i një Kupe Bote?

Sa kushton organizimi i Kupës së Botës? Studiuesit nga Universiteti i Lozanës janë përpjekur t’i përgjigjen kësaj pyetjeje duke vlerësuar se midis viteve 1964 dhe 2018, deri në 31 ngjarje të mëdha sportive nga 36 kanë akumuluar humbje të mëdha.

Nga 14 Kupat e Botës të analizuara, shkruan e përjavshmja “The Economist”, duke raportuar rezultatet e hulumtimit, vetëm një rezultoi fitimprurëse: ajo e Rusisë 2018, e cila gjeneroi një tepricë prej 235 milionë dollarësh, mbështetur veçanërisht nga të ardhurat nga të drejtat televizive. Megjithatë, turneu arriti vetëm 4.6% kthim nga investimi.

Pothuajse të gjitha shpenzimet kryesore bien mbi vendin pritës. FIFA, organi qeverisës i futbollit botëror, mbulon vetëm shpenzimet operative. Por, ajo merr pjesën më të madhe të të ardhurave midis biletave, sponsorizimeve dhe të drejtave të transmetimit.

Botërori i parafundit (Rusi 2018), për shembull, i dha FIFA-s 5.4 miliardë dollarë, një pjesë e të cilave u transferua më pas në ekipet kombëtare.

Photograph: Maxim Zmeyev/AFP/Getty Images

Të dhënat nga Universiteti i Lozanës përfshijnë vetëm shpenzimet që lidhen me objektet, si ndërtimi i stadiumeve, logjistika ose kostot e personelit. Megjithatë, vlera e projekteve indirekte nuk merret parasysh, si linja e metrosë apo hotelet e reja të ndërtuara në Katar për edicionin e vitit 2022.

Disa projekte infrastrukturore i bëjnë ekonomitë më produktive në terma afatgjatë, por shumë stadiume të shtrenjta rrallë stimulojnë zhvillimin ekonomik në zonat përreth.

Kostot kanë shpërthyer me kalimin e kohës. Kupa e Botës 1966, me 16 ekipe, kushtoi rreth 200 mijë dollarë për lojtar (të përditësuar me çmimet e 2018).

Në vitin 2018, kjo shifër shkoi në 7 milionë dollarë. Kostot janë nxitur nga ndërtimi i më shumë stadiumeve për çdo turne. Në Katar, shtatë nga tetë impiantet u ndërtuan nga e para, ndërsa në 1966 Anglia nuk ndërtoi asnjë.

Pavarësisht shpenzimeve, në Katar objektivi primar për organizimin e Kupës së Botës nuk është fitimi, por pastrimi i imazhit të vendit ndërkombëtarisht. Se sa u arrit apo do arrihet deri në fund mbetet për tu parë, por deri më tani shenjat nuk kanë qenë fort të mira.

Duke iu rikthyer shifrave, edicioni që regjistroi humbjen më të lartë sipas të dhënave të raportuara nga “The Economist” është ai i Koresë së Jugut dhe Japonisë në vitin 2002. Një deficit prej 4.81 miliardë dollarësh.

Në podium ishte edhe Afrika e Jugut 2010, me humbje prej 2.85 miliardë dollarë, ndërsa vendi i tretë i takoi Italisë ’90 (1,72 miliardë dollarë).

Renditja e plotë e fitimit/ humbjeve të shteteve që kanë organizuar Kupën e Botës:

1-Rusi (2018): +240 milionë dollarë

2-Meksikë (1986): +30 milionë dollarë

3-Meksikë (1970): -30 milionë dollarë

4-Angli (1966): -30 milionë dollarë

5-Spanja (1982): -220 milionë dollarë

6-Brazil (2014): -240 milionë dollarë

7-Gjermania (Perëndimore, 1974): -370 milionë dollarë

8-SHBA (1994): -430 milionë dollarë

9-Gjermani (2006): -510 milionë dollarë

10-Francë (1998): -740 milionë dollarë

11-Argjentinë (1978): -1.41 miliardë dollarë

12-Itali (1990): -1.72 miliardë dollarë

13-Afrika e Jugut (2010): -2.85 miliardë dollarë

14-Koreja e Jugut dhe Japonia (2002): -4.81 miliardë dollarë 

/Albanianpost.com

Read Previous

Scholz: Rusia po përdor urinë si armë, ashtu siç bëri BRSS 90 vite më parë

Read Next

10 miliarderët që humbën më shumë para në 2022