Sa janë të kënaqur qytetarët me kryetarët e komunave, tregon sondazhi zviceran

Një sondazhi i kryer nga organizata zvicerane HELVETAS shfaq kënaqshmërinë e qytetarëve kosovarë me qeverisjen lokale. 

Një sondazh të tillë e ka publikuar deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku, e cila u tregua kritike për rezultatin në komunën nga ajo vjen, Gjilanin.

Në kryeqytet qytetarët që janë shprehur plotësisht të kënaqshëm me qeverisjen e Përparim Ramës nga LDK-ja janë 29.5 përqind, ndërsa 41.7 përqind e të anketuarve janë shprehur se janë disi të kënaqur me të. 

Një përqindje më e vogël është shënuar me gjilanasit. 19.4 përqind e tyre janë shprehur shumë të kënaqur me punën e kryetarit nga Lëvizja Vetëvendosje, Alban Hyseni. Ndërkaq, 56.1 përqind e tyre janë disi të kënaqur. 

Përqindja e qytetarëve të kënaqur zvogëlohet edhe më në Gjakovë, e cila udhëhiqet nga Ardian Gjini i AAK-së, raporton Gazeta Express.

Vetëm 12.9 përqind e tyre thanë se janë të kënaqur plotësisht me punën e tij, ndërsa disi të kënaqur e prezantuan veten 28.9 përqind e gjakovarëve. 

Por, përqindje më e mirë është shënuar për Pejën që udhëhiqet nga Gazmend Muhaxheri i LDK-së.

Thuajse gjysma e qytetarëve, 48 përqind, janë shprehur plotësisht të kënaqshëm me punën e tij. Në po këtë përqindje janë shprehur edhe qytetarët që janë disi të kënaqur me punën e Muhaxherit.

Në Prizren gjysma e qytetarëve janë shprehur disi të kënaqur me punën e Shaqir Totajt të PDK-së, por vetëm 9.9 përqind e qytetarëve janë shprehur plotësisht të kënaqur me punën e tij. 

Për punën e bashkëpartiakut të Totajt në Mitrovicë, Bedri Hamza, 20.9 përqind e qytetarëve janë shprehur plotësisht të kënaqur, derisa përqindja e atyre disi të kënaqur shkon në 51.6 përqind. 

Zgjedhjet lokale në Kosovë u mbajtë më 17 tetor 2021./Gazetaexpress/

Read Previous

BIK: Shpenzimet e varrimit varen nga kërkesat e familjes, kostoja mesatare është 140 euro

Read Next

Moti në Gjakovë