Rutte: Mbështetja e SHBA-së për NATO-n e sigurt, pavarësisht se kush fiton zgjedhjet

NATO Secretary-General Mark Rutte. | Maja Hitij/Getty Images

Sekretari i ri i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka besim se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mbështesin aleancën e mbrojtjes, edhe nëse Donald Trump zgjidhet presidenti i 47-të i SHBA-së.

Rutte, në një intervistë me transmetuesin publik gjerman ZDF dje në mbrëmje, tha se ai beson se Donald Trump dhe Kamala Harris mbështesin NATO-n.

Intervista e tij vjen ndërsa votuesit amerikanë shkojnë drejt qendrave të votimit për të zgjedhur presidentin e ri.

Më shumë se 75 milionë qytetarë kanë votuar tashmë, por pjesa e mbetur e rreth 240 milionë votuesve me të drejtë vote – duhet të hedhin votën e tyre sot për t’u numëruar.

“Ashtu si republikanët edhe demokratët e kuptojnë se NATO i shërben jo vetëm sigurisë së Evropës, por edhe sigurisë së SHBA-së”, tha shefi i NATO-s, duke shtuar se një president duhet të sigurojë që vendi i tij të jetë i sigurt.

Rutte tha se të dy kandidatët janë të vetëdijshëm se siguria e SHBA-së është e lidhur ngushtë me NATO-n.

Deklaratat e Trump në të kaluarën kanë ngritur dyshime nëse SHBA-ja, nën udhëheqjen e tij, do t’i përmbahej plotësisht angazhimeve të aleancës për mbrojtjen e ndërsjellë.

Trump madje ka kërcënuar disa herë se do të tërhiqte SHBA-në nga NATO.

Rutte, një ish-kryeministër holandez, mori postin e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s më 1 tetor, dhe dje zhvilloi vizitën e tij inauguruese në Gjermani në cilësinë e shefit të aleancës.

Rutte thuhet se ka pasur një marrëdhënie relativisht të mirë me Trump. Gjatë një takimi në vitin 2019, Trump tha se ai dhe kryeministri i atëhershëm holandez ishin bërë miq. /ATSH-DPA/

Read Previous

Osmani: Kosova e bekuar me përkrahjen bipartizane amerikane

Read Next

Rama: Evropa duhet të ketë një plan të qartë për të luftuar emigracionin e paligjshëm