Rusia reagon pas rezolutës së Shqipërisë kundër raportit të Dick Marty-t

Ministria e Jashtme e Federatës Ruse ka reaguar pas miratimit në Kuvendin e Shqipërisë të rezolutës kundër raportit të Dick Marty-t.

Përmes zëdhënëses Maria Zakharova, Rusia konfirmoi qëndrimin e saj të kahershëm.

“Parlamenti shqiptar miratoi një rezolutë që sfidon akuzat në lidhje me trafikimin e organeve në Kosovë dhe Shqipëri. Mbetemi të vendosur në qëndrimin tonë se personat e përfshirë në këto krime duhet të përballen me një dënim të ashpër dhe të drejtë”, shkruan Zakharova në median sociale Twitter.

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë votoi të enjten e 21 korrikut projektrezolutën mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri.

Ajo kaloi me 125 vota pro, duke shënuar kështu një bashkim të votave mes mazhorancës dhe opozitës.

Projektrezoluta fillimisht u depozitua nga Partia Socialiste kundër raportit të Dick Marty-t, me titull “Trajtimi çnjerëzor i njerëzve dhe trafikimi i organeve në Kosovë”.

Mbi bazën e këtij raportijanë ngritur edhe akuza kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët gjenden në Hagë prej muajsh duke u përballur me aktakuzat.

Duke shqyrtuar raportin, në vijim të rrjedhës logjike, në dokument po ashtu shtohet se të gjitha pretendimet e ngritura nga Dick Marty në raport janë të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova e fakte.

Për rrjedhojë, ato duhet të cilësohen si të tilla nga të gjitha institucionet ndërkombëtare.

“Për këtë qëllim propozojmë këtë ‘Rezolutë mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri’”, vijohet më tej.

Raporti i Dick Martyt nuk përmend Remin fare, Thaçin 26 herë - Gazeta Online INSAJDERI
Dërgimi në KE

Rezoluta do t’i dorëzohet në shtator Këshillit të Evropës, të cilit i kërkohet të distancohet nga akuzat e pa provuar nga hetimet ndërkombëtare sepse 11 vite pas hartimit të raportit, asnjë nga pretendimet e ngritura prej tij nuk është vërtetuar.

Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i kërkohet nëpërmjet dokumentit të realizojë një raport vijues dhe të rishikojë rezolutën.

Gjithashtu i kërkohet Qeverisë shqiptare të mbetet plotësisht e përkushtuar për të ndihmuar drejtësinë dhe identifikuar përgjegjësinë për të gjitha krimet e kryera në ish-Jugosllavi.

Në projektrezolutë përsëritet thirrja për të gjithë të interesuarit që të bashkëpunojnë me Mekanizmin Ndërkombëtar për kryerjen e funksioneve të mbetura të gjykatave penale (IRMCT), brenda juridiksionit të saj.

Reagimi i kryeministrit në Kuvend

Krenari më të madhe të shqiptarëve se sa lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk ka sipas kryeministrit Edi Rama dhe raporti i Dick Martyt mbi krimet e luftës në Kosovë, e ka njollosur gjakun e Adem Jasharit, i cili ka dhënë jetën për atdheun.

Në një fjalë në Parlamentin e Shqipërisë, kreu i Qeverisë theksoi se që prej Ibrahim Rugovës dhe deri tek Hashim Thaçi, lufta e UÇK-së, është ajo që i vlerë krenarisë së shqiptarëve.

“Ne po bëjmë kaq pak, për atë shumë gjë që Thaçi ka bërë për Kosovën”, tha Rama nga foltorja e Kuvendit, duke mbrojtur rezolutën e Partisë Socialiste kundër raportit të Dick Martyt, e cila synon të çojë në Këshillin e Evropën një kërkesë për zhbërjen e tij.

Ky raport, ka dërguar prapa hekurave pa akuzë, ish-krerë të UÇK-së, përfshi edhe ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Është një rast unikal sipas Ramës ajo çfarë ka ndodhur me Thaçin dhe shqiptarët nuk duhet ta lejojnë atë çfarë po ndodh. /Albanianpost.com

Read Previous

Shërbimet stomatologjike në QKMF në Gjakovë ofrohen 24 orë

Read Next

Komuna e Gjakovës publikon rezultatet e vlerësimit, grupi Specialist i Bujqësisë, Pyjeve dhe Tokës