Rifunksionalizohet Qendra e Mjekësisë Familjare në Konvikte, studentët mund të testohen edhe për HIV/AIDS e tuberkuloz

Qendra e Mjekësisë Familjare është rifunksionalizuar në Qendrën e Studentëve pas tri vjetësh mospunë.

Drejtori i Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta ka thënë se ai ka insistuar vazhdimisht që kjo qendër të hapet.

Arsyeja se pse kjo qendër nuk ka funksionuar për tri vjet, ai sqaroi se fillimisht ka qenë pandemia, pastaj edhe janë bërë teste të ndryshme mjekësore.

“Po kontributi jonë është kërkesat e vazhdueshme, insistimi që të riphapet kjo qendër, sepse në bazë të kontakteve ditore me studentë, ne e kemi parë shumë të arsyeshme dhe të nevojshme që kjo qendër të rihapet dhe të jetë në funksion të studentëve”, potencoi Sfishta.

“Po nga viti 2020, për shkak të pandemisë, kjo qendër ka qenë në një kohë bukur të gjatë në funksion të karantinës, që ka qenë në Qendër të Studentëve, pastaj janë bërë teste stereologjike dhe teste të tjera deri në muajin qershor të këtij viti”, theksoi ai.

Sfishta foli edhe për kushtet të cilat i quajti elementare, mirëpo theksoi se janë shtuar dy shërbime të reja që janë shërbimi për testimin e HIV/AIDS dhe për testimin e tuberkulozit.

“Këto janë kushte elementare, sepse ka një mjek të praktikës të përgjithshme për kontrolle dhe janë shtuar dy shërbime, shërbimi për testimin e HIV/AIDS-it dhe për testimin e tuberkulozit. Nuk janë të mjaftueshme, mirëpo më mirë pak se hiç dhe studentët e kanë të drejtën nëse s’ka shërbime këtu që jepen në këtë Qendër të Mjekësisë Familjare, çdo Qendër të Mjekësisë Familjarë në Prishtinë e kanë mundësinë që të shkojnë të bëjnë kontrollet për nevoja shëndetësore të tyre”, vazhdoi ai.

Ndërkaq kryetari i Parlamentit Studentor, Qlirim Hoti tha se kanë bërë kërkesë që të funksionalizohet edhe shërbimi stomatologjik.

“Po ne si Parlament Studentor në bashkëpunim me drejtorin e Qendrës së Studentëve, zotin Fatmir Sfishta, te kryetari e kemi adresuar edhe kërkesën tonë për shërbimin tjetër të ri i cili përfshin  shërbimet stomatologjike për gjithë studentët, pasi që gjatë diskutimeve me studentë ky shërbim është më se i nevojshëm”, tha Hoti.

Gjithashtu ai tha se ata do të kërkojnë nga kryetari që të zgjatet orari nga ora 15:00 deri në 23:00 të mbrëmjes sepse deri në atë kohë është e hapur Qendra e Studentëve.

“Ne do të kërkojmë nga kryetari i komunës që ky orar të zgjatet deri në ora 23:00 të mbrëmjes, për arsye se deri në atë orar është i hapur Qendra e Studentëve, konviktet përkatësisht”, shtoi ai.

Qendra e Studentëve ka rreth 4000 studentë që banojnë aty./EO/

Read Previous

Siguria në veri, ministri Mehaj raporton sot në komision

Read Next

Sot shqyrtohen projektligjet për zyrtarët publikë dhe për pagat në sektorin publik