Rama në Bruksel flet për Kosovën: E vetmja tokë evropiane pa liberalizim vizash, kjo është çmenduri

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka cilësuar si “çmenduri” mos-liberalizimin e vizave ndaj popullit të Kosovës nëpër zonat Schengen nga ana e Bashkimit Europian.

Rama këto komente i ka bërë në Bruksel, përgjatë një konference të përbashkët të tre liderëve të Ballkanit Perëndimor (Dimitar Kovaçevski dhe Aleksandar Vuçiq), shkruan lajmi.net.

“Përtej kësaj, nuk dua të marr më shumë kohë, por thjesht u shpreha dhe tash dy gjëra të tjera të rëndësishme. Pengmarrja e qytetarëve të Kosovës, që nuk lejohen të lëvizin. Është popullata e vetme në tokën e Evropës që nuk mund të lëviz lirisht. Mund të shkonin në Gjermani e në Zvicër në Federatën Jugosllave, por qysh kur u çliruan, çliruesit e çlirimtarët e tyre nuk po lejohen të lëvizin. Kjo është çmenduri, ata duhet të lejohen të lëvizin”, deklaroi ai.

Tutje, Rama foli edhe për padrejtësitë e bëra ndaj Maqedonisë së Veriut nga ana e BE-së, si dhe bllokimit që po ia bën Bullgaria për hapje të bisedimeve për anëtarësim në unionin europian.

“Sigurisht, tema kryesore ishte Maqedonia e Veriut, Maqedonia njëherë e një kohë dhe 17 vjet më pas është ende në pritje si kandidate për bisedime për anëtarësim. Ndryshoi edhe emrin, por nuk pati dallim. Imagjinoje Francën ta ndryshojë emrin? Mu desh ta fitoja një mandat të tretë që të pritja çeljen e bisedimeve për anëtarësim. Arsyeja nuk është thjesht Bullgaria, ajo është vetëm një kënaqësi, por fryma e deformuar e zgjerimit. Bullgaria është shprehja më e dukshme e saj. Kjo çështja e Bullgarisë është një turp, një vend i NATO-s që merr peng dy vende të tjera të NATO-s, në kohën kur në oborrin e BE-së po zhvillohet një luftë. Putini mund të jetë sëmurë, mund të jetë shumë mirë, por ky vendi këtu nuk duket shumë i shëndetshëm. Ne nuk do të presim Godonë, më vinte shumë keq për njerëzit optimistë që nisën të shkruajnë në ‘Twitter’ “po, po ja dalim”. Jo, jo”, deklaroi Rama.

I pari i ekzekutivit shqiptar pati kritika të ashpra për BE-në, ku sulmoi kredibilitetin e bashkimit.

“Më lini të shpreh keqardhjen e thellë për Bashkimin Europian. Më vjen keq për ta! U përpoqa që të them disa gjëra në takim dhe do të ndajë me ju disa prej tyre, sepse nuk dua të marrë aq kohë sa u mor në takim. … na tha se kemi tre minuta, unë u thashë mund të kishte qenë edhe 30 sekonda në qoftë se do të mbani fjalën, kështu që 3 minuta nuk ishin mjaftueshëm. U thashë që ndihesha mirë dhe keq që isha me ta. Ndihesha mirë sepse isha europian, por ndihesha keq sepse ende ne nuk mund të jemi këtu si europianë por si miq në një shtëpi të ndarë. Është vërtetë shumë shqetësuese që edhe sulmi i një pandemie në shkallë globale, një luftë kaq kërcënuese që mund të shnëderrohet në luftë tragjike globale, nuk kanë mundur t’i bëjnë bashkë. Pra, ç’të bëjmë! Sigurisht, ne kemi shumë për të bërë. Unë mendoj që ne kemi bërë dhe bëmë tashmë për të mbështetur idenë e presidentit francez për objektivin që është politikë e strategji për komunitetin e ri europian”, ka deklaruar ndër të tjera Rama. 

/Lajmi.net/

Read Previous

Komuna e Gjakovës publikon listën e përfituesve të bursës për vitin akademik 2021 – 2022

Read Next

Sa i përdorin veturat qytetarët e Gjakovës pas rritjes së çmimit të naftës?