Prokuroria Themelore kërkon paraburgimin e një personi në Gjakovë për kallëzim të rremë

Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata kompetente në Gjakovë, ndaj të pandehurit Y. Xh.,  për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Lajmërimi apo kallëzimi i rremë”, nga neni 382 paragrafi 1 të KPRK-së.

Prokuroria njofton se, më 07 prill 2022, në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, në cilësinë e ankuesit, Y. Xh., me dashje ka bërë lajmërim të rremë, kundër të dëmtuarit, zyrtar policor, Sh. S.

I pandehuri Y. Xh., para prokurorit të shtetit, ka bërë denoncimin se kinse zyrtari policor  ka bërë intoksikimin e tij duke hedhur substancë narkotike në shishen e tij të ujit. Pas marrjes së veprimeve hetimore nga ana e prokurorit të shtetit gjegjësisht ekzaminimit të kryer nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, është konstatuar se në trupin e ankuesit-të pandehurit, nuk ka substancë tjetër përveç medikamenteve të grupit benzodiazepine të cilat i pandehuri i ka pranuar se i ka përdorur.

Gjithashtu, me datë 07 prill 2022 në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, në cilësinë e ankuesit, me dashje ka bërë lajmërim të rremë se i dëmtuari/Drejtori i Policisë Rajonale në Gjakovë, ka kryer disa vepra penale të cilat ndiqen sipas detyrës zyrtare, edhe pse i pandehuri e ka ditur se i denoncuari nuk i ka kryer këto vepra.

I pandehuri Y. Xh., para prokurorit të shtetit , ka bërë denoncimin se kinse Drejtori L.G.,  në mënyrë tinëzarë kishte vendosur video-incizime në banesën e tij duke përgjuar në mënyrë ilegale, ndërsa pas marrjes së veprimeve hetimore nga ana e prokurorit të shtetit gjegjësisht, Inspektoratit Policor të Kosovës, dhe  sipas raportit përfundimtar të hetimeve  është konstatuar se pretendimet e të pandehurit Y. Xh.,  nuk mund të qëndrojnë, nuk janë të bazuara, nuk mund të dëshmohen me ndonjë provë dhe nuk mund ti trajtojmë si të besueshme.

Prokurori i rastit ndaj të pandehurit Y. Xh., ka kërkuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh.

I pandehuri,  me urdhër të prokurorit gjendet në ndalim nga data 16 qershor 2022.

Me respekt,

Zyra për Komunikim Publik në ZKPSH

Prokuroria Themelore Gjakovë

Read Previous

Zyra e Prokurimit në Gjakovë radhitet e para në listë për transparencë në qeverisjen lokale

Read Next

​Parashikimi i motit për sot