Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka vlerësuar filmin “DUA”, me regji dhe skenar të Blerta Bashollit, duke theksuar rëndësinë e tij në ruajtjen e kujtesës historike dhe përcjelljen e përvojës së Kosovës te brezat e rinj.
Presidentja mori pjesë mbrëmjen e së enjtes në shfaqjen e filmit në kinemanë Cineplexx, aktivitet i organizuar në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit.
Filmi trajton luftën në Kosovë përmes përvojave dhe botës emocionale të të rinjve, një qasje që, sipas presidentes, i jep rëndësi të veçantë mënyrës se si historia përcillet te publiku.
“Filmat si ky kanë rol jashtëzakonisht të madh në ruajtjen e kujtesës historike, mbrojtjen e të vërtetës sonë, sikurse edhe në përcjelljen e përvojës së Kosovës te brezat e rinj dhe publiku ndërkombëtar”, është shprehur Shiroka Pula.
Me këtë rast, presidentja përgëzoi regjisoren Blerta Basholli dhe ekipin realizues për punën e tyre dhe suksesin që filmi ka arritur në arenën ndërkombëtare.
“DUA” është vlerësuar me çmimin SACD në Festivalin e Filmit në Cannes, në kuadër të programit “Semaine de la Critique”, si dhe ka fituar tri çmime në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Historik në Belgjikë. Sukseset e filmit dëshmojnë interesimin ndërkombëtar për rrëfimet kinematografike që trajtojnë historinë dhe përvojat njerëzore të Kosovës./KultPlus.com