Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se pas vendosjes së masës së përkohshme nga Gjykata Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit, kanë dërguar komentet e tyre.
Në një konferencë për media ajo ka deklaruar se “për një nënkryetar po synohet të bllokohet shteti”.
Ajo ka deklaruar se në komentet e dërguara kanë dokumentuar se funksionimi efektiv i institucioneve të vendit, është qenësor për ruajtjen e rendit kushtetues.
Ka thënë se bllokimi i konstituimit për shkak të moszgjedhjes së një kryetari, do ta cenonte seriozisht themelet që është ndërtuar Republika.
“Prandaj në kushtet ku bllokohet konstituimi i Kuvendit për një nënkryetar të vetëm përkundër faktit që Kryesia ka kuorum të mjaftueshëm dhe ka kryetar, dhe kur deputetët kanë kryer betimin, në ato momente pamundësohet përfaqësimi legjitim i qytetarëve në institucionin më të lartë përfaqësues edhe ushtrimi i sovranitetit”, ka thënë Osmani.
“Është vlerësim i yni që ushtrimi i kësaj të drejte nëpërmjet së cilës po pretendohet të bllokohet Kuvendi i Republikës cenon të drejtat e të gjithë deputetëve të tjerë dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës. Rrjedhimisht po synohet që për një nënkryetar të bllokohet shteti në tërësi”, ka shtuar ajo. /Koha.net/