Presidenti i Lituanisë: Avionët rusë shkelën hapësirën ajrore

Dy avionë ushtarakë rusë kanë hyrë përkohësisht në hapësirën ajrore të Lituanisë, në një veprim që autoritetet e vendit e kanë cilësuar si një provokim të ri nga Moska.

Incidenti ndodhi ndërsa liderët e Bashkimit Evropian po diskutonin në Bruksel mbi forcimin e mbrojtjes evropiane, në sfondin e shqetësimeve se lufta në Ukrainë mund të përhapet edhe në vendet fqinje.

Sipas forcave të armatosura lituaneze, bëhet fjalë për një avion luftarak Su-30 dhe një avion cisternë Il-78, të cilët dyshohet se po kryenin stërvitje furnizimi me karburant në ajër mbi rajonin rus të Kaliningradit, kur kaluan rreth 700 metra brenda hapësirës ajrore të Lituanisë, rreth orës 18:00.

Presidenti Gitanas Nausėda e quajti incidentin: “një shkelje të hapur të ligjit ndërkombëtar dhe të integritetit territorial të Lituanisë” dhe shtoi: “Ne do të thërrasim përfaqësuesit e ambasadës ruse për të protestuar kundër këtij veprimi të pamatur dhe të rrezikshëm”, shkroi ai në rrjetin social X.

Nga ana e saj, Ministria ruse e Mbrojtjes mohoi shkeljen, duke deklaruar se fluturimet ishin kryer “në përputhje të plotë me rregullat ndërkombëtare” dhe “pa devijuar nga itinerari i planifikuar.”

/GazetaSinjali/

Read Previous

Merz: E ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është në BE, Gjermania e mbështet plotësisht anëtarësimin

Read Next

Thellohet deficiti tregtar në Kosovë