“Për ne ajo është deputete, takohemi vetëm me Kurtin”, edhe LDK-ja e refuzon ftesën e Haxhiut

Edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku e ka refuzuar ftesën e ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.

Në një përgjigje për KOHËN, nga LDK-ja kanë thënë se nuk marrin pjesë në takim, pasi konsiderojnë se Haxhiu është vetëm një nga  deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Tutje janë shprehur të hapur të takohen me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

“LDK, nuk merr pjesë në takimin e thirrur nga zonja Haxhiu, pasi që konsiderojmë se ajo është vetëm një nga deputetet e Kuvendit të Kosovës. Ne jemi të hapur të bisedojmë me kryetarin e LVV-së, z. Albin Kurti, që sa më shpejt ta zhbllokojmë situatën politike në vend, duke i ofruar Kosovës, President”, thuhet në përgjigjen e LDK-së.

Ftesën për takim e kanë refuzuar edhe Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca.

Haxhiu kishte ftuar liderët e partive politike ose përfaqësuesit e tyre për një takim të përbashkët të martën në ora 9:00. 

Takimi, sipas thirrjes së Haxhiut, është konsultativ dhe mbahet në lidhje me zhvillimet aktuale politike e institucionale dhe për rëndësinë e arritjes së marrëveshjes për presidentin konsensual, e edhe për formimin e institucioneve të tjera. 

E nga PDK-ja kanë thënë se çështja e zgjedhjes së presidentit mund të trajtohet vetëm pasi të funksionalizohet Kuvendi. 

Deputeti i kësaj partie, Arian Tahiri, ka kundërshtuar rolin e Haxhiut në organizimin e takimit me partitë, duke thënë se ajo aktualisht është deputete.

Të njëjtin qëndrim e ka shprehur edhe në Aleancë, e cila që nga fillimi ka refuzuar të shkojë në takimet e thirrura edhe nga kreu i Vetëvendosjes.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka thënë se partitë opozitare nuk duhet të fajësohen për refuzimin e takimit, pasi sipas tij, kërkesa e tyre është e qartë: funksionalizimi i Kuvendit. 

Në një postim të dielën në Facebook, lidhur me refuzimin e PDK-së dhe Aleancës, Haxhiu ka thënë se vendimi i të dy partive është i gabuar.

Ka shkruar se qytetarët e Kosovës po flasin vazhdimisht qartë përmes zgjedhjeve, ndërsa është detyrë e udhëheqësve të partive të zbatojnë në praktikë vullnetin e qytetarëve. 

“Më lejoni të shpreh keqardhjen time të plotë që pavarësisht ftesës sime të sinqertë, subjektet politike si PDK-ja dhe Aleanca refuzuan të njëjtën. Këtë refuzim e konsideroj veprim të gabuar, të pamatur dhe mbi të gjitha mungesë të vullnetit për të tejkaluar pozicionimet barrikaduese. Të tilla pozicione nuk e ndihmojnë askënd, aq më pak Republikën tonë. Qytetarët e vendit vazhdimisht janë duke folur qartë përmes zgjedhjeve, ndërkaq është detyrë e jona si përfaqësues të tyre e si udhëheqës partish e institucionesh politike ta zbatojmë atë në praktikë. Kosova ka nevojë për shumë punë. Zgjedhjet do të duhej të ishin opsioni i fundit nëse jo fare opsion. Mbetem me shpresën që deri të martën të kemi reflektim e takimi të jetë sa më i dobishëm drejt gjetjes së një zgjidhje”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

E kryesuesi i seancës konstituive, deputeti i Vetëvendosjes, Avni Dehari, nuk i është bindur thirrjes së subjekteve politike oponente që ta vazhdojë seancën për konstituimin e legjislaturës së njëmbëdhjetë.

Në vijë me qëndrimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ai ka thënë të shtunën se fillimisht duhet të arrihet marrëveshja për presidentin, e pastaj do t’i dërgojë ftesat për vazhdimin e seancës. /Koha.net/

Read Previous

Nis afati i dytë i regjistrimit të nxënësve në klasën e parë