Për 10 ditë katër vrasje, të dyshuarit ende në arrati

Sot është dita e dhjetë e muajit gusht. Përgjatë këtyre ditëve, Kosova nuk ka gjetur qetësi pasi kanë ndodhur katër vrasje – një grua dhe tre burra. Për vrasjen e argjentinases është arrestuar i dyshuari, mirëpo për tri rastet tjera, ka ende të dyshuar në arrati. Për rastin në Klinë është Tush Frroku, ndërsa për atë në “Bon Vivant” është Dukagjin Nikollaj dhe një i dyshuar tjetër nuk është identifikuar. Të paidentifikuar janë edhe dy persona tjerë që dyshohet se e kanë vrarë sot një person dhe kanë plagosur tre të tjerë në Skenderaj.

Në orët e para të 1 gushtit në Fushë Kosovë, Endrit Nikaj dyshohet se e ka gjuajtur nga kati i gjashtë të dashurën e tij, shtetase të Argjentinës, Maria Clara Urdangaray. Ajo u dërgua në QKUK, mirëpo nuk arriti t’iu bëjë ballë lëndimeve që kishte pësuar.

“VRASJE: Fushë Kosovë 01.08.2023 – 01:59. Nga QKUK-ja është raportuar se ka ndërruar jeta viktima femër shtetase e Argjentinës si pasojë e lëndimeve të marra, që dyshohet se ka rënë nga një lartësi e objektit ku ka qenë duke qëndruar së bashku me te dyshuarin mashkull shtetas Zvicran. Me vendim të prokurorit kujdestar, trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje. Rasti ne procedure hetimore”, thuhej në raportin 24 orësh të Policisë.

Për këtë rast kanë raportuar mediat në Argjentinë e Zvicër, ndërkaq babai i të ndjerës ishte i bindur se vrasja e bijës së tij është femicid.

“Vajza ime kishte folur me mamanë e saj dhe e kishte përshkruar të dashurin si një femëror dhe shumë xheloz. Është një femicide, jam i bindur,” tha Facundo Urdangaray, babai i Maria Clara.

Endrit Nika është arrestuar dhe tani ndodhet në paraburgim.

Gazeta zvicerane “Blick” ka raportuar se 32 vjeçari e kishte futur ilegalisht të dashurën e tij në Kosovë, duke e fshehur në bagazh të veturës. Express ka dërguar pyetje në Polici dhe MPJD, mirëpo të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Një tjetër krim goditi Prishtinën mbrëmjen e 4 gushtit. Një përleshje që nisi në një tavolinë të kafiterisë “Bon Vivant” përfundoi me një të vrarë e rreth 17 të plagosur.

Për këtë rast janë arrestuar Andi Pajaziti i njohur si “Italiani”, Gëzim Zakuti dhe Hisni Gecaj. Atyre u është caktuar masa e paraburgimit prej 1 muaji, mirëpo “Italiani” ende është duke u trajtuar në Klinikën e Ortopedisë për shkak të lëndimeve.

Mirëpo, një tjetër person është në arrati për këtë rast. Bëhet fjalë për Dukagjin Nikollajn, i njohur me nofkën “Duka”. Ai ishte i kërkuar nga FBI, dhe qysh prej natës tragjike, ai nuk është kapur ende nga Policia e Kosovës. Bazuar në fletëkërkimin e FBI-së, bëhet e ditur se 40-vjeçari ishte i përfshirë në trafikim të marihuanës në periudhën e viteve 2003-2007.

I vrarë nga përleshja e armatosur ka mbetur Kastriot Ramadani nga fshati Zabel i Ulët i Drenasit. Ai u varros ditën e nesërme. Mirëpo sipas dosjes së Prokurorisë, Kastrioti ishte ai i cili e nisi përleshjen, pasi fillimisht e nxori armën nga brezi e më pas e goditi me shishe në kokë “Italianin”.

“Në atë moment me të vërejtur që në lokal kanë hyrë të pandehurit Andi Pajaziti dhe Gëzim Zakuti,, në atë moment i ndjeri Kastriot Ramadani e ka nxjerrë armën e zjarrit nga brezi kurse i pandehuri Dukagjin Nikollaj e ka nxjerrë armën e zjarrit nga një çantë e dorës, ashtu që për një moment fillojnë të përleshen fizikisht fillimisht Andi Pajaziti me të pandehurin Dukagjin Nikollaj, më pas Kastriot Ramadani e godet me një shishe qelqi në kokë disa herë Andi Pajazitin, në atë moment Andi Pajaziti nxjerr armën e zjarrit nga brezi dhe shkrepë në drejtim të Kastriot Ramadanit, kurse i pandehuri Dukagjin shkrep me armë zjarri në drejtim të Andi Pajazitit si dhe i ndjeri Kastriot Ramadani shkrep në drejtim të Andi Pajazitit e me ç’rast kanë rrezikuar edhe jetën e personave tjerë”, përshkruante Prokuroria.

Për këtë rast është edhe një i dyshuar, që ende nuk është identifikuar.

Ndërsa tri ditë më vonë, një krim tjetër ndodhi në një kafiteri tjetër. Por kësaj here në qytetin e Klinës.

Atje Tush Frroku hyri në një kafiteri dhe shtiu shtatë herë mbi tashmë të ndjerin, Anton Prela, të cilin e kishte dhëndërr.

Frroku pas kryerjes së krimit ka ikur nga vendi i ngjarjes dhe akoma nuk është kapur nga organet e sigurisë. Madje për gjetjen e tij, Prokuroria Themelore ka aktivizuar dronë dhe Policia e ka shpallur në kërkim, duke ia publikuar edhe fotografinë e të dhënat.

Zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi, ka thënë për Express se fillimisht i dyshuari e ka ftuar viktimën jashtë lokalit e më pas viktima është futur brenda.

Sipas tij, viktima dhe i dyshuari ishin familjarë mes vete.

“Viktima ishte i martuar me motrën e të akuzuarit. Ndërsa edhe ky i fundit, ishte i martuar me motrën e viktimës”, tha ai.

Ndërkaq sot zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, ka bërë të ditur se një person ka mbetur i vrarë e tre të tjerë janë plagosur pasi dy persona të maskuar kanë hyrë brenda në një kafiteri në fshatin Runik të Skënderajt dhe kanë gjuajtur me armë zjarri.

Të dyshuarit më pas kanë ikur nga vendi i ngjarjes.

“Rreth orës 01:21, të datës 10 gusht 2023, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë zjarri në një kafiteri në fshatin Runikë të Skenderajt. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore dhe ekipi mjekësor. Bazuar në hetimet  fillestare, nga arma e zjarrit lëndime kanë pësuar katër persona, njëri nga të lënduarit viktima N. L., 39 vjeçar, ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa, tre persona të tjerë të lënduar ( po ashtu nga arma e zjarrit ) janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK. Nga hetimet  e para dhe këqyrja e vendit të ngjarjes,  dyshohet  se dy persona të dyshuar e të maskuar kanë hyrë brenda në kafiteri  kanë shtënë  me armë dhe  janë larguar në drejtim të panjohur. Në cilësi të provave materiale në vendin e ngjarjes janë  gjetur dhe konfiskuar disa gëzhoja”, ka thënë Zahiti për Express.

Ai ka thënë se hetuesit janë duke punuar për identifikimit dhe arrestimin e të dyshuarve.

“Hetuesit e Sektorit Rajonal, janë duke punuar intensivisht për  identifikimin  dhe arrestimin e kryesit/ve  të veprës  si dhe zbardhjen e  kësaj vepre penale.”

Ndërsa, zëdhënësja e QKUK-së, Mirlindja Qyqalla për Gazetën Express tha se njëri nga të lënduarit është në gjendje të rëndë ndërsa dy tjerët janë jashtë rrezikut për jetë.

“Nga Qendra Emergjente e QKUK-së jemi njoftuar që tre presona kanë kërkuar ndihmë mjekësore, të lënduar me armë zjarri. Sipas ekipit mjekësor, aktualisht, njëri nga të lënduarit është në gjendje pak më të rënduar, ndërsa dy të tjerë janë jashtë rrezikut për jetë”, ka thënë Qyqalla.

Tashmë është bërë i ditur edhe identiteti i të vrarit dhe i të plagosurve. Si pasojë e të shtënave me armë zjarri ka mbetur i vrarë Negjmedin Loshi, 39 vjeç, ndërkaq janë plagosur Qëndrim Januzi 26 vjeç, Fidan Januzi 41 vjeç dhe Muhamet Ramadani 35 vjeç.

Akoma nuk dihen motivet e vrasjes.

Pra për vrasjen në Klinë dhe Skënderaj ende nuk ka të arrestuar, ndërsa për vrasjen në Bon Vivant një i dyshuar është ende në arrati. Pavarësisht kësaj, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, po shijon pushimet në Plazhin e Gjeneralit. 

/eo/

Read Previous

Minatorët e Trepçës bojkotojnë punën, shkak rrogat

Read Next

Vieri: E shoh Milanin pas Interit dhe Juventusit