Papa Françesku bën thirrje për masa urgjente ndaj ndryshimeve klimatike

Papa Françesku fajësoi dhe sfidoi udhëheqësit botërorë të mërkurën, që të angazhohen për të përmbushur objektivat për zbutjen e efekteve të ndryshimeve klimatike përpara se të jetë shumë vonë, duke paralajmëruar se rritja e temperaturave po shkon drejt një pike ku nuk ka më kthim pas.

Papa Françesku bëri një përditësim jo të zakontë të enciklikës (letër që Papa u dërgon Peshkopëve), të vitit 2015 mbi mjedisin dhe ngriti alarimin mbi dëmin e “pakthyeshëm” që po rrezikon njerëzit dhe planetin dhe theksoi edhe një herë se njerëzit më të varfër dhe më të dobët, po vuajnë pasojat më të rënda.

“Tani jemi të paaftë që të ndalim dëmin e jashtëzakonshëm që kemi bërë. Dhe na ka mbetur dhe pak kohë për të penguar dëme që mund të kenë pasoja tragjike”, paralajmëroi Papa Francesku.

Ai mori shembullin e Shteteve të Bashkuara, duke vënë në dukje se emetimet për person në SHBA, janë dy herë më të mëdha se Kina dhe shtatë herë më të larta se mesatarja në vendet e varfra. “Ndërsa përpjekjet në nivel individual dhe familjar po shtohen, mund të konfirmojmë se ndryshimi i stilit të papërgjegjshëm, i lidhur me modelin Perëndimor do të kishte ndikim në nivel afatgjatë”, tha ai.

Dokumenti “Lavdi Zotit” u shpërnda gjatë festivalit fetar në nderim të Shën Françeskut të Asizit dhe synonte që në raundin e ardhshëm të bisedimeve në Konferencën e Kombeve të Bashkuara mbi Ndryshimet Klimatike, negociatorët të angazhoheshin në përmbushjen e objektivat të detyrueshme mbi klimën.

Papa Françesku u ndal edhe tek një çështje kyçe dhe delikate të bisedimeve, nëse vendet duhet të bien dakord për heqjen gradualisht nga përdorimi të qymyrit, naftës dhe gazit natyror, lëndë djegëse që po shkaktojnë ndryshimet klimatike. Ai e mbështet eleminimin e tyre. “Madje,sa më parë të jetë e mundur”, shkroi Papa.

Duke përdorur të dhëna shkencore, argumente të mprehta diplomatike dhe arsyetim teologjik, Papa Françesku kërkoi që bota të kalojë nga lëndët djegëse tek energjia e pastër, me masa që janë “të dobishme, të detyrueshme dhe që mund të mbikqyren”.

“Na kërkohet të tregojmë përgjegjshmëri për atë që do t’u lëmë brezave të ardhshëm, kur të kemi ikur nga kjo botë”, tha ai.

Shkencëtari për ndryshimet klimatike, Carlos Martinez, thotë se ky është një nga mesazhet më pesimiste që ka dhënë Papa Fançesku. Por shkencërisht është i saktë, thotë ai dhe shkencëtarë të tjerë. “Është shumë i drejtpërdrejtë, mbi gjendjen e mjedisit, ndikimin tek njerëzit dhe komuniteti”, tha zoti Martinez.

“Toni i tij u përshtatet ndryshimeve me të cilat po përballemi”, thotë shkencëtari për ndryshimet klimatike në universitetin “Northern Illinois”, Victor Gensini.

Enciklika e vitit 2015 ishte një pike kthese për Kishën Katolike, pasi shënoi herën e parë që një Papë përdori dokumentin më të rëndësishëm të tij për të diskutuar mbi ndryshimet klimatike nën këndvështrimin e normave morale.

Në atë tekst, që është cituar nga president, patriarkë dhe kryeministra dhe nxiti një lëvizje aktiviste brenda kishës, Papa Francesku bëri thirrje për një revolucion të fortë kulturor për të korrigjuar sistemin ekonomik “të strukturuar në mënyrë të paarsyeshme”, ku të pasurit shfrytëzojnë të varfërit, duke e kthyer Tokën në “një pirg pisllëku”.

Dokumenti “Lavdi Zotit” u bë publik para konferencës së radhës së Kombeve të Bashkuara mbi klimën, që pritet të nisë në 30 nëntor, në Dubai./VOA

Read Previous

Mbi 2 mijë gjoba trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

Read Next

Sulmi në veri e Procesi i Berlinit: Ministrja e jashtme gjermane udhëton drejt Tiranës