Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për televizionin polak TVP World, ka kërkuar nga partitë politike të arrijnë një marrëveshje për krijimin e institucioneve, duke theksuar se bllokada aktuale po i kushton rëndë vendit.
“E shfrytëzoj rastin që t’u bëj thirrje sërish të gjitha partive politike që ta vendosin interesin e vendit para e t’i lënë anash dallimet. Të tentojnë të formojnë një koalicion të shumicës parlamentare e cila e dërgon Kosovën para”, tha Osmani.
Ajo paralajmëroi se për shkak të ngërçit politik po humben projekte të Bashkimit Evropian dhe dritare të rëndësishme bashkëpunimi me administratën e re të SHBA-së.
“Shumica e marrëveshjeve duhet të shkojnë në Kuvend për ratifikim dhe në Qeveri për zbatim. Njerëzit e Kosovës duhet të kenë një qeveri efikase me fuqi të plotë”, u shpreh presidentja.
Osmani theksoi se vendi nuk e ka luksin të presë gjatë pa institucione. “Do të ketë shumë që thonë Belgjika ka dy vjet pa qeveri, Austria gjashtë muaj. E kuptoj, por ne nuk e kemi luksin me prit aq gjatë. Ne duhet vërtet të ecim para me reforma dhe me anëtarësim në organizata ndërkombëtare”, tha ajo.
Presidentja mohoi se ekziston ndonjë ndikim i jashtëm në qëndrimet e partive të mëdha politike në Kosovë.
“Është besim i tyre personal se me kë duan të punojnë. Është shumë lokale”, tha Osmani.
Thirrja e saj vjen pas dështimit të radhës për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Kandidatët e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Hekuran Murati, Arbërie Nagavci dhe Dimal Basha, të cilët nuk morën votat e mjaftueshme, ndërsa seanca e radhës është thirrur për të martën në orën 11:00.
Në intervistë, Osmani shfaqi edhe kritika për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian. Ajo tha se pavarësisht faktit që 97 për qind e qytetarëve të Kosovës mbështesin integrimin në BE dhe NATO, përparimi duket i ngadalshëm krahasuar me vendet e tjera të rajonit.
“Nëse e shihni si ka përparuar rajoni, Serbia që është fqinja jonë, ndonëse është përfundi 40 për qind e rreshtuar, nuk i ka vendosur sanksione Rusisë dhe as ndonjë kundërshtari tjetër të BE-së, ende po vazhdon drejt anëtarësimit. Duket sikur kriteret e vlerat nuk kanë vërtetë rëndësi për disa shtete anëtare”, tha Osmani.
Ajo shtoi se, pavarësisht frustrimit, Kosova nuk ka alternativë tjetër përveç rrugës evropiane.
“Durimi ynë nuk po soset, ne po punojmë. Është proces i gjatë, njerëzit janë të frustruar, por nuk kemi alternativë tjetër”, përfundoi presidentja.