Osmani kujton Rugovën: Do t’i ruaj dhe kultivoj trashëgiminë dhe miqësitë që i krijoi me SHBA-të dhe vendet e BE-së

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar presidentin historik, Ibrahim Rugova në ditën e lindjes së tij.

Osmani ka thënë se sot është ditëlindja e ideatorit të Republikës sonë të mosvarme.

“Në çdo ditëlindje të tij, ne e kujtojmë atë me mallin e respektin që bijtë e bijat e vendit e tregojnë për atin themelues të shtetit të tyre. Por, e kujtojmë edhe si njeri model, skajshmërisht të butë në pamje e në komunikim, por po kaq këmbëngulës e të vendosur në vizionin e tij për ta realizuar ëndrrën e brezave për të jetuar të lirë.  Ibrahim Rugova, bashkë me shumë burra e gra që dhanë gjithçka për këtë vend, e rrënjosën thellë në shpirtrat tanë këmbënguljen për ta arritur lirinë e për ta krijuar shtetin e pavarur”, ka shkruar Osmani.

Ajo ka theksuar se si  presidente e vendit do të kujdeset maksimalisht që trashëgimia e tij politike, miqësitë që i krijoi për ne, sidomos ajo me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe me vendet e BE-së dhe vendet e tjera demokratike anekënd botës, të ruhen e të kultivohen më tej.

Read Previous

KMLDNJ: Gjykata Speciale po tallet me Policinë dhe shtetin e Kosovës

Read Next

Gexha-Bunjaku dhe përfaqësuesi i OBSH-së për Evropën diskutojnë për situatën epidemiologjike në vend