Nis takimi trepalësh në Bruksel

Në Bruksel të Belgjikës, pak para orës 13:00, nisi takimi trepalësh midis kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë – Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç – dhe Emisarit Special të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajçak, ku një ndër çështjet kryesore që do të negociohet është ndalimi i dinarit serb në Kosovë dhe rruga drejt zgjidhjes.

Në fakt, ky është takimi i dytë që organizohet nga BE-ja për çështjen e dinarit. Një raund i negociatave ndërmjet ekspertëve financiarë të Kosovës dhe Serbisë u zhvillua më 27 shkurt 2024 në kryeqendrën evropiane, por përfundoi pa rezultate konkrete. Kosova refuzoi që të përfaqësohet në nivel politik sepse konsideroi që dinari nuk duhet të jetë temë për dialog.

Lajçaku fillimisht priti në takim kryenegociatorin dhe zëvendëskryeministrin kosovar, pastaj zhvilloi një takim me delegacionin serb të udhëhequr nga Petkoviçi. E ky cikël i ri i negociatave në nivel të kryenegociatorëve vjen në mes të paralajmërimeve të zyrtarëve evropianë për rritje të presionit ndaj të dyja palëvë për të zbatuar marrëveshjen e arritur një vit më parë.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, në një-vjetorin e “marrëveshjes historike” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kërkoi nga palët që t’i ulin tensionet dhe të nisin zbatimin e së njëjtës pa vonesa të mëtejme, duke shtuar se ky është “momenti i fundit” që palët të thyejnë “rrethin vicioz” të krizave dhe të kalojnë në “epokën e re” evropiane.

E në kuadër të përpjekjeve perëndimore për t’i dhënë fund krizës aktuale rreth çështjes së dinarit dhe për t’i dhënë hov të ri zbatimit të marrëveshjeve, gjatë javës së kaluar në Prishtinë qëndroi edhe Emisari Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili ftoi Kosovën të tregohet “fleksibile” në procesin e dialogut.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi të hënën se një pjesë e propozimit amerikan për dinarin është pranuar nga Qeveria e Kosovës, ndërsa sa i përket pjesës tjetër, shtoi se ende ekziston njëfarë papajtueshmërie, duke shprehur optimizmin që edhe për pjesën tjetër të gjendet një zgjidhje në takimin e sotëm midis kryenegocitorëve.

Në ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, garantoi se asnjë propozim nuk do të pranohet nëse është në kundërishtim me rregulloren e ndryshuar të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), nëpërmjet së cilës përcaktohet euro si e vetmja valutë ligjore në vend, duke nxjerrë jashtë përdorimit dinarin serb, ndonëse shtoi se pret gjëra kontrete nga takimi i sotëm në Bruksel./AlbanianPost.com/

Read Previous

Policia pranon një letër, dyshohet se është i njërit prej autorëve për vrasjen e boksierit Besar Nimani

Read Next

Kosova për herë të parë në Lojërat Paralimpike, Osmani: Moment historik