Policia në Gjakovë sekuestron pushkë, pistoleta dhe municion
Njëzet vatra zjarri janë raportuar gjatë 24 orëve të fundit në territorin e vendit, ndërsa 9 prej tyre vijojnë të jenë aktive dhe një tjetër është nën monitorim.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, për përballimin e situatës janë angazhuar 235 forca operacionale dhe 33 automjete zjarrfikëse, të mbështetura nga 140 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
Situata më problematike paraqitet në Gojan–Gjegjan, Pukë, ku era e fortë dhe terreni i thyer kanë vështirësuar operacionet. Forcat në terren janë përqendruar në mbrojtjen e banesave, ndërsa është kryer edhe evakuimi i banorëve. Operacioni është mbështetur nga 40 efektivë dhe 3 helikopterë të Forcave të Armatosura.
Në Mal Milot, Kurbin, vatra vijon të jetë aktive, por rreziku për banesat është eliminuar për momentin. Në terren ndodhen forca zjarrfikëse, ushtarake dhe bashkiake, ndërsa është kërkuar përforcim me forca dhe mjete të Forcave të Armatosura.
Në Dajt, Tiranë, është regjistruar riaktivizim i vatrës. Operacioni vijon me angazhimin e strukturave të MZSH-së, AZM-së dhe Forcave të Armatosura, me mbështetjen e një helikopteri. Nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Në Dukat, Vlorë, zjarri në zonën e Shatës është zgjeruar gjatë natës në drejtim të malit. Në terren operojnë forcat vendore dhe 40 efektivë të Forcave të Armatosura, ndërsa aktualisht nuk rrezikohen banesat.
Në Ballaxhiaj, Memaliaj, zjarri është nën kontroll dhe larg zonave të banuara. Në operacion janë angazhuar forcat zjarrfikëse, Policia dhe vullnetarë, ndërsa disa banorë janë evakuuar.
Vatra të tjera aktive raportohen në Kalivaç, Shtuf, Gjorm të Sipërm dhe Hotolisht. Ndërkohë, vatra në Lufaj, Mirditë, është nën kontroll dhe monitorim.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon monitorimin dhe koordinimin e situatës në të gjithë territorin, në bashkëpunim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.
Kapacitetet operacionale vijojnë të jenë të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve, si dhe izolimin e vatrave aktive. /ATSH/