Ndihmës Sekretarja amerikane për Çështje Europiane viziton Kosovën

Ndihmës Sekretarja amerikane për Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, do të vizitojë Ballkanin Perëndimor nga data 25 deri më 29 prill, ku do të qëndrojë edhe në Kosovë, ndërsa vizita janë planifikuar edhe në Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi.

Më 25 prill, ajo do të qëndrojë në vendin tonë për të falënderuar Kosovën për strehimin për afganët dhe ukrainasit, si dhe do të inkurajojë punën në reformat për konsolidimin demokratik dhe integrimin në institucionet evropiane dhe euroatlantike, dhe do të shqyrtojë perspektivat për përparim në dialogun me Serbinë i mbështetur nga SHBA dhe i lehtësuar nga BE-ja, drejt një marrëveshjeje për marrëdhënie të normalizuara të përqendruara në njohjen reciproke.

Donfried do të udhëtojë në Serbi më 26 prill për t’i kërkuar Serbisë të avancojë reformat për integrimin e saj evropian, të përmirësojë stabilitetin dhe prosperitetin rajonal, të diskutojë mundësitë për diversifikimin e mëtejshëm të energjisë dhe të zgjerojë sigurinë dhe lidhjet dypalëshe ekonomike. Ajo do të përsërisë nevojën që Serbia dhe Kosova të riangazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE.

Më 27 prill, në Bosnje dhe Herzegovinë, Donfried do të inkurajojë zyrtarët të rifillojnë pjesëmarrjen institucionale në të gjitha nivelet e qeverisjes për të çuar përpara funksionalitetin dhe reformat e arsyeshme për prosperitet më të madh dhe Bosnja të marrë statusin e kandidatit në BE. Ajo do t’i kërkojë Bosnjës të mbajë zgjedhjet e vjeshtës në kohë dhe të bëjë përparim në luftën kundër korrupsionit.

Në Maqedoninë e Veriut, Donfried d otë qëndrojë më 28 prill, ku do të takohet me udhëheqësit e qeverisë për të sinjalizuar mbështetjen e fortë të SHBA për negociatat e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE dhe për t’i falënderuar për ndihmën e tyre të vazhdueshme për Ukrainën. Ajo do të nxisë RMV që të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë për një sërë çështjesh rajonale, të sigurisë dhe të mbrojtjes për të promovuar demokracinë dhe stabilitetin rajonal.

Më 28 prill Donfried do të përkujtojë 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri dhe do të falënderojë Shqipërinë për partneritetin në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe për angazhimin e saj ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës përballë agresionit rus. Ajo do të nënvizojë gjithashtu mbështetjen e fortë amerikane për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe integrimin ekonomik rajonal, si dhe do të theksojë nevojën për të zbatuar plotësisht reformën në drejtësi dhe për të luftuar korrupsionin.

Donfried do të udhëtojë në Mal të Zi më 29 prill, ku do të theksojë mbështetjen e SHBA-së dhe nevojën për të përshpejtuar punën në rrugën euro-atlantike të Malit të Zi dhe pranimin në BE dhe mbështetjen e vlerave të përbashkëta, duke përfshirë trajtimin e korrupsionit. Ajo do të falënderojë gjithashtu Malin e Zi për bashkimin me sanksionet e BE-së ndaj Rusisë në mbështetje të Ukrainës, për ofrimin e ndihmës humanitare dhe të sigurisë, si dhe për mbylljen e hapësirës së tij ajrore ndaj avionëve rusë.

Read Previous

Vendet që do të mbesin pa energji elektrike sot dhe orari i ndërprerjeve

Read Next

Nga kjo datë, Zvicra heq të gjitha kufizimet e hyrjes