NATO shqyrton shtimin e pranisë në Kosovë, Stoltenberg bën thirrje për dialog mes Prishtinës dhe Beogradit

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka thënë se NATO është duke e shqyrtuar praninë e saj më të qëndrueshme në Kosovë.

Kjo vjen pas tensioneve të vazhdueshme në veri të Kosovës.

Stoltenberg këto komente i bëri pas takimit në Samitin e ministrave të punëve të jashtme të vendeve anëtare të NATO-s.

“Ne adresuam edhe çështjet në Ballkanin Perëndimor, dhe kemi parë dhunë serioze në veri të Kosovës. Së bashku me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së ne do të diskutojmë mënyrat që të rrisim stabilitetin në rajon. NATO-ja tashmë ka shtuar 1000 trupa në Kosovë, dhe jemi duke shqyrtuar një prani më të qëndrueshme në Kosovë”, tha Stoltenberg.

Sekretari i NATO-s foli edhe për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, derisa theksoi se të dyja vendet duhet të rikthehen në tryezën e diskutimeve.

“Beogradi dhe Prishtina, duhet të riangazhohen në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Stabilitetit varet nga të gjitha palët që zgjedhin dialogun dhe diplomacinë, në vend të konfliktit dhe kaosit”, tha Stoltenberg.

/Telegrafi/

Read Previous

Diaspora ka dërguar 1.2 miliardë euro në Kosovë deri në muajin tetor

Read Next

Kuvendi këtë javë mban tri seanca plenare