Nagavci: Në qershor nis testimi i mësimdhënësve për pagë më të lartë

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka paralajmëruar se në qershor të vitit të ardhshëm do të nisë testimi i mësimdhënësve për pagë më të lartë.

Në konferencën për media të fundvitit, Nagavci ka thënë se ky testim do të mundësojë licencën e avancuar për mësimdhënësit, sipas kritereve të përcaktuara.

“Ne kemi paraparë edhe buxhetin i cili do të shfrytëzohet me qëllim të pagesës për mësimdhënësit të cilët do të avancohen pasi të përfundojnë suksesshëm licencimin e tyre, përfshirë edhe testimin”, ka thënë ministrja.

Ngavaci po ashtu ka bërë të ditur se po bashkëpunojnë me Shqipërinë për hartimin e udhëzuesit për realizim të këtij procesi.

“Jemi në proces të udhëzuesit që do të bëjë realizimin dhe jemi në bashkëpunim me Shqipërinë, synimi është që nga qershori ta fillojmë testimin e mësimdhënësve për licencë të avancuar”, është shprehur Nagavci.

Ajo tutje ka thënë se në tre muajt e ardhshëm do të prezantojnë planin e detajuar për përmirësimin e cilësisë në arsim.

Teksa ka prezantuar punën dhe sfidat përgjatë vitit 2023 të ministrisë që udhëheq, Nagavci gjithashtu ka përmendur edukimin në fëmijërinë e hershme, edukimin parafillor.

Sipas ministres, edukimi parafillor nga viti 2024 do të bëhet i obligueshëm.

/Telegrafi/

Read Previous

Medalje dhe mirënjohje për pjesëtarët e FSK-së, këta janë pjesëtarët e dalluar për këtë vit

Read Next

Guvernatori Ismaili: Rritja ekonomike për këtë vit 3.4 përqind, më 2024 do të jetë mbi 4.2