Presidentja e Komisionit Evropian të enjten me vizitë zyrtare në Kosovë
Deputeti i PDK-së, Arben Mustafa, thotë se Kuvendi duhet të përmbyllë menjëherë konstituimin dhe më pas ta shqyrtojë me procedurë të përshpejtuar projektligjin për Dhomat e Specializuara.
Ai kërkoi që mbështetja për këtë nismë të mos kushtëzohet me marrëveshjen për zgjedhjen e Presidentit.
Partia Demokratike e Kosovës e ka proceduar në Kuvend projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Sipas Mustafës, hapi i parë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese është përmbyllja e konstituimit të Kuvendit, përfshirë zgjedhjen e nënkryetares së propozuar nga PDK-ja, Vlora Çitaku, dhe formimin e komisioneve parlamentare, shkruan Telegrafi.
“Hapi i ardhshëm është konstituimi i plotë i Kuvendit të Kosovës dhe kjo duhet të ndodhë sa më shpejt”, tha Mustafa. Ai vlerësoi se kjo çështje mund të përfundojë brenda një dite dhe kërkoi që, menjëherë pas saj, projektligji për Dhomat e Specializuara të futet në rend dite me procedurë të përshpejtuar.
Mustafa tha se projektligji është tema kryesore e PDK-së në këtë moment. I pyetur nëse votimi i tij mund të lidhet me negociatat për Presidentin, ai kërkoi që dy çështjet të trajtohen veçmas.
“Ky ligj nuk është për PDK-në. Ky ligj është për Kosovën, për lirinë e Kosovës, për shtetin e Kosovës”, deklaroi ai. Sipas Mustafës, partitë nuk duhet ta trajtojnë nismën si mundësi për të kërkuar diçka në këmbim të votës së tyre.
“Kjo është diçka që i tejkalon partitë politike”, tha deputeti i PDK-së, duke shtuar se projektligji “nuk duhet të bëhet pjesë e ndonjë pazari tjetër politik”, tha ai, transmeton Telegrafi.
Ai tha se Aleanca është deklaruar publikisht në mbështetje të projektligjit, ndërsa PDK-ja pret që edhe subjektet e tjera politike të shprehen për të.
Çfarë parasheh nisma e PDK-së?
Mustafa sqaroi se propozimi i partisë së tij nuk synon zhbërjen e Dhomave të Specializuara. Sipas tij, synimi është kufizimi i mandatit të tyre te çështjet që lidhen me të gjeturat e raportit të Dick Martyt, ndërsa pretendimet e tjera për krime gjatë luftës të trajtohen nga sistemi i drejtësisë në Kosovë.
“Ne nuk kërkojmë mbyllje të asnjë rasti, të asnjë hetimi”, tha ai. Mustafa shtoi se, sipas propozimit të PDK-së, procesi i apelit do të vazhdonte në kuadër të Dhomave të Specializuara në Hagë, ndërsa shkalla e tretë e gjykimit do të kalonte në kuadër të institucioneve të Kosovës.
Deputeti i PDK-së tha se nisma kërkon edhe më shumë transparencë në procesin gjyqësor. Ai përmendi mundësinë që institucione, universitete dhe organizata ndërkombëtare të monitorojnë procesin në Hagë. Këto janë kërkesat që Mustafa ia atribuon projektligjit të PDK-së; përmbajtja dhe zbatimi i tyre do të varen nga shqyrtimi dhe votimi në Kuvend.
Presidenti deri më 6 tetor
Sa i përket zgjedhjes së Presidentit, Mustafa tha se Kuvendi ka kohë deri më 6 tetor për të gjetur zgjidhje. Ai pranoi se partitë janë vonuar në këtë proces dhe u shpreh se nuk dëshiron që vendi të shkojë sërish në zgjedhje për shkak të pamundësisë për t’i formuar institucionet.
Sipas tij, një marrëveshje për Presidentin nuk mund të arrihet pa Lëvizjen Vetëvendosje. Megjithatë, Mustafa tha se PDK-ja, nuk ishte pjesë e diskutimeve për këtë post.
“Për momentin, Partia Demokratike e Kosovës nuk është pjesë e ndonjë procesi të diskutimeve për Presidentin. Procesi ynë i vetëm në këtë kohë është projektligji për Dhomat e Specializuara”, deklaroi Mustafa.
Ai shtoi se PDK-ja do t’u përgjigjet iniciativave ose diskutimeve që mund të paraqiten për gjetjen e një zgjidhjeje. Deri atëherë, sipas tij, Kuvendi duhet të funksionalizohet dhe projektligji për Dhomat e Specializuara të votohet pa u përfshirë në negociatat për Presidentin. /Telegrafi/