Murati: Gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së, hakmarrje për lirinë e Kosovës

Ish-ministri i Diasporës, Valon Murati, të dielën në emisionin “Info Magazine” ka folur për 16 shtatorin, ditën kur Gjykata Speciale do të shpallë aktgjykimin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Për katërshen e UÇK-së, Murati tha se janë themeltarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe sipas tij, bartës të shumë përgjegjësive në luftë, si dhe proceseve politike, duke theksuar se sipas tij, nuk është e rastësishme që të njëjtit janë në Hagë.

“Çdo dënim që shkon për ta, çdo dënim që ka ndodhur, është goditje e të gjithë përpjekjeve tona. E neve bashkëpunëtorëve, bashkëluftëtarëve, por edhe të gjithë shqiptarë, edhe ata që e duan edhe ata që s’e duan”, u shpreh Murati në Klan Kosova.

Ndër të tjera, ish-ministri shtoi se gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së, siç tha ai, vazhdon të jetë hakmarrje për lirinë e Kosovës.

“Ata po vazhdojnë të paguajnë një çmim të madh, dhe në një far forme kjo vazhdon të jetë hakmarrje për lirinë e Kosovës, dhe ata janë një lloj viktime në mënyrën, në kontekstin e sotëm, vazhdojnë të jenë viktimë e lirisë së Kosovës, viktimë e një hakmarrje të Serbisë”, tha ai.

Read Previous

Hadërgjonaj vendimtar në fitoren e Alanyasporit ndaj Besiktasit

Read Next

Ky është çmimi i naftës për sot