Ministria e Jashtme u gjobit me 13 mijë euro për mostransparencë, deklarohet Gërvalla

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla, është deklaruar pasi dikasteri që udhëheqë ditë më parë është gjobitur me 13 mijë euro nga Agjencia për Informim dhe Privatësi, e cila ka konstatuar se MPJD-ja nuk ka ofruar qasje në dokumente publike për shpenzimet për udhëtime (karburante) të diplomatit Prindon Sadriu gjatë periudhës shkurt 2019- shkurt 2022.

Në një konferencë për media, Gërvalla ka thënë se nuk fjalë për mostransparencë, por thjesht ministria në sistemin e saj nuk ka shifra për shpenzimet individuale të diplomatëve, por vetëm për shpenzimet e misionit.

“Mund të ju them vetëm se kemi pasur kërkesë për shpenzime individuale për një diplomat të caktuar. MPJD-ja në sistem shpenzimet e misioneve nuk i ka të ndara individualisht. Nuk kemi kapacitete sa i përket personelit momentalisht, prandaj reforma në këtë institucion është shumë e nevojshme për t’i ndarë shpenzimet veç e veç”, është shprehur kryediplomatja, raporton Telegrafi.

Tutje, ajo ka bërë të ditur se shumë shpejt MPJD-ja do t’i publikojë të gjitha shpenzimet, duke filluar nga ato të kabinetit, pasi vendimi politik është marrë, ndërsa tani janë në aspektin e realizimit teknik.

“Nuk kemi interesim t’i fshehim shpenzimet, ndaj kemi lutur Departamentin e Financave që t’i përgatis për publikim të gjitha shpenzimet e së kaluarës edhe ato aktualet, duke filluar nga shpenzimet e kabinetit. Jemi në aspektin e realizimit teknik. Vendimi politik për publikimin e shpenzimeve është marrë. Jemi të ndërgjegjshëm, shpenzimet tona janë të arsyeshme dhe shumë më të vogla se në të kaluarën”, ka vazhduar Gërvalla. /Telegrafi/

Read Previous

Pse stjuardesat i presin pasagjerët me duar prapa shpine, arsyeja do t’ju surprizojë

Read Next

Financial Times: Dollari do të fuqizohet sërish ndaj monedhave botërore