Ministri Latifi priti në takim Ambasadoren e parë të Izraelit në Kosovë

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, është takuar sot me Ambasadoren e parë të Izraelit në Kosovë, Tammy Ziv, me ç‘rast temë diskutimi ishte bashkëpunimi mes dy vendeve në sektorin e shëndetësisë.

Latifi tha se është i nderuar për vizitën e ambasadores, e para e këtij niveli në Kosovë, posaçërisht duke e pasur parasysh se Izraeli ka një sistem shëndetësor tejet të zhvilluar prej të cilit mund të mësohet shumë.

Me këtë rast, Latifi përmendi shtatë shtyllat e programit të tij për transformimin e shëndetësisë së Kosovës, duke potencuar se shëndetësia është prioritet për Qeverinë.

Ai e vuri në pah edhe nevojën për krijimin e Qendrave të Ekselencës dhe në këtë pikë edhe Qendrën e Traumës e cila është shumë e domosdoshme për sistemin shëndetësor të Kosovës. Bashkëpunimi në këtë pikë, vlerësoi ai, është shumë i dobishëm pasi që Izraeli këtë Qendër e ka më të avancuarën në botë.

Në vazhdim, Latifi dhe Ziv u pajtuan se një nga fushat e tjera potenciale të bashkëpunimit është edhe rreth digjitalizimit të sistemit shëndetësor kosovar.

Në këtë takim u bisedua edhe për mundësinë e trajnimit të stafit shëndetësor kosovar nga ekspertët shëndetësor të Izraelit, në ato profile ku mungon ekspertiza brenda sistemit tonë.

Ndërkaq, ambasadorja Ziv, tha se shteti i saj është i gatshëm për të bashkëpunuar dhe ndihmuar Kosovën në mënyra të ndryshme për përmirësimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor dhe avancimit të fushave specifike, dhe për këtë qëllim ajo njoftoi se tashmë ka filluar përgatitjet për organizimin e vizitës së Latifi në Izrael gjatë këtij viti.

/Klankosova.tv

Read Previous

Komisioni për Legjislacion voton Projektligjin për ndihmë të ndërsjellë juridike me Shqipërinë

Read Next

Agim Ademi zgjidhet kryetar i FFK-së pa asnjë votë kundër