Mediat në Itali zbulojnë lojtarin që tradhtoi Mourinhon, portugezi i ka kërkuar largimin menjëherë në janar

Roma nuk ka marrë më shumë se një barazim 1-1 nga udhëtimi te Sassuolo.

Tammy Abraham shënoi për Giallorosët derisa Andrea Pinamontti barazoi shifrat për vendasit.

Por pas kësaj ndeshje trajneri Jose Mourinho ka mbetur i zhgënjyer me një futbollist duke mos i kursyer deklaratat e tij.

Special One ka kërkuar largimin e tij në janar, pasi tha pas ndeshjes se e tradhtoi.

“Ishte një ekip që donte të fitonte ndaj një kundërshtari të fortë, më vjen keq që përpjekjet e skuadrës u tradhtuan nga qëndrimi i një lojtari joprofesionist. Nuk më keni parë të flas kështu për Roger Ibanez kundër Lazios, sepse gabimet janë pjesë e lojës, qëndrimi i tij nuk ka qenë kurrë problem”.

“Një qëndrim joprofesional që nuk është i drejtë me shokët e tij të skuadrës, kjo është ajo që më zhgënjen. Një pikë në udhëtim nuk është një rezultat negativ dhe jam i kënaqur me qëndrimin e përgjithshëm të skuadrës sime”.
Kur u pyet se kush kishte marrë qëndrim të gabuar dhe tradhtoi shokët e skuadrës, Mourinho nuk pranoi të thoshte.

“Nuk do t’ju them. Unë kisha 16 lojtarë në fushë sonte dhe më pëlqeu qëndrimi i 15 prej tyre. Njërit i thashë se ai kishte këtë qëndrim vetëm sot dhe jo gjithmonë. Tani duam ta mbyllim këtë periudhë të sezonit me tre pikë. Në janar, ai duhet të gjejë një klub tjetër”, përfundoi trajneri portugez.

Por mediat italiane kanë zbuluar emrin e lojtarit që Mourinho ka kërkuar largimin e tij nga klubi.

Bëhet fjalë për mbrojtësin e djathtë holandez Rick Karsdorp i cili u fut në fushë ndaj Sassuolos dhe ishte lojtari që nuk e ndoqi futbollistin e vendasve në golin e barazimit.

Anësori holandez ka qenë ndër lojtarët më të kritikuar në vitet e fundit te Roma, por Mourinho gjithmonë e kishte mbrojtur atë, derisa tani i ka treguar derën e largimit. /Telegrafi/

Read Previous

Hajdari: Janë ndarë 15 milionë euro për Rezervën Shtetërore, origjina e produkteve është kryesisht nga Kosova

Read Next

127 vjet nga lindja e Shote Galicës, gruaja që nuk e hoqi pushkën nga dora