Maqedonci: 239 milionë euro investime në armatim, rritje të ushtarakëve

Ngritja e Forcës së Sigurisë së Kosovës pesë vende më lartë në indeksin e fuqisë globale të ushtrive në botë ka qenë veç një nga elementet që ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka prezantuar në konferencën e sotme të fundvitit.

“Gjatë këtij viti kemi rekrutuar 627 rekrutë aktiv, ndërkaq që nga fillimi i mandatit kemi rekrutuar 1,836 pjesëtar të rinj, duke dyfishuar pothuajse numrin total të ushtarakëve, me një rritje prej 66,87%”, ka deklaruar Maqedonci.

Ai ka thënë se blerja e sistemit të armatimit është rritur prej 28% ku, sipas tij, nga 4 milionë që janë investuar në qeverinë e kaluar, shifra ka arritur 239 milionë investime. Ai ka thënë gjithashtu se shkollimi jashtë vendit është rritur katër herë më shumë.

“Në shkollime jashtë vendit, në akademi prestigjioze të vendeve partnere i kemi 62 kandidatë duke ndjekur shkollime të ndryshme. Është investuar në trajnimin e ushtarakëve. Vetëm gjatë vitit 2023 janë trajnuar 580 pjesëtarë të FSK-së, kurse që nga fillimi i mandatit janë trajnuar 3325 ushtarakë në shkolla, kolegje dhe aktivitete të ndryshme trajnuese”, ka deklaruar tutje ministri i Mbrojtjes.

Maqedonci gjatë shpalosjes së të arriturave të vitit që po e lëmë pas ka përmendur edhe faktin që Kosova ka qenë prijëse në “Defender Europe 2023”, ka ndodhur ngritja e pagave, veçmas në gradat e ulta, ku përfshihen ushtarët, detarët e karrierës dhe detarët me gradë. /RTK/

Read Previous

Sveçla: Sulmet në veri s’na zmbrapsin

Read Next

Situata e sigurisë përgjatë vitit 2023 në Kosovë – flet drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha