Luani Gjoni, është liruar në hapësirë të jashtme

Luani Gjoni, kjo krijesë e bukur përkohësisht është duke qëndruar tek ‘Pylli i Arinjve Prishtina’ dhe tani ka mundësi për të shijuar hapësirën e tij të jashtme. I shpëtuar në fund të muajit mars, Gjoni dalëngadalë po mësohet përsëri të jetojë si një luan.

“Që kur ka arritur tek strehimorja jonë kujdestarët tanë kanë qenë të angazhuar intenzivisht që të përgatisin hapësirën e jashtme për të. Në mëngjesin e 4 majit, erdhi momenti i shumëpritur për Gjonin. Ju desht ca kohë që të merrte guximin për të bërë hapat e parë në bar të freskët dhe në dheun e hapësirës së tij të jashtme. Ky është një proces i ngadalshëm dhe i vazhdueshëm për të derisa ai të mësohet me hapësirën e jashtme, por ne jemi të sigurtë që Gjoni shumë shpejt do të ndihet më i relaksuar”, thonë nga “Pylli i Arinjve Prishtina”, strehimore për arinjtë e shpëtuar në Kosovë dhe Shqipëri.

Fatmirësisht moti me diell, mjedisi i qetë dhe lojërat që kujdestarët e strehimores i përgatisin do ta ndihmojnë që shumë shpejt Gjoni t’i tejkalojë traumat nga e kaluara e tij.

Sido që të jetë, “Pylli i Arinjve Prishtina” nuk është destinacioni përfundimtar i Gjonit.

“Ne po vazhdojmë të punojmë që ai të zhvendoset në njërën prej strehimoreve për macet e mëdha të FOUR PAWS, ku ai do ta shijojë jetën e tij në një mjedis të përshtatshëm për llojin e tij”, thuhet tutje. / KultPlus.com

Read Previous

111 vjet nga lindja e atdhetarit, Zekeria Rexha

Read Next

Këtë fundjavë do të ndodhë eklipsi i plotë hënor