Legalizimi i kanabisit në Shqipëri, do të ngrihet një agjenci e posaçme

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në Shqipëri, Ogerta Manastirliu, ka bërë me dije se do të ngrihet një agjenci e posaçme në nivel kombëtar.

Kjo në lidhje me projektligjin për “Kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës cannabis dhe prodhimit të nënprodukteve të saj, për qëllime mjekësore dhe industriale” i propozuar nga ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe ministria e Brendshme.

Sipas Manastirliut, Agjencia e Kontrollit të Kanabisit, e cila ngrihet për herë të parë, është një agjenci buxhetore që do të ketë për mision mbikëqyrjen, kontrollin e përpunimin e bimës së kanabisit dhe prodhimit të nënprodukteve të saj, për qëllime mjekësore dhe industriale.

“Kjo agjenci do të organizojë procedurat për dhënien e licencave, sipas rregullave të përcaktuara në këtë ligj, do të mbikëqyrë veprimtarinë e subjekteve të licencuara”.

Po ashtu agjencia do të bashkëveprojë me të gjithë organet kompetente me qëllim realizim e objektivave dhe detyrimeve që rrjedhin nga marrëveshjet ndërkombëtare, do të bashkëpunojë me Qendrën Evropiane për Monitorimin e Drogave dhe Varësisë dhe Bordin Ndërkombëtarë Kontrollit të Narkotikëve.

Duke folur për qëllimet e këtij projektligji, ministrja Manastirliu u shpreh se “nga të gjithë analizat që ne kemi bërë nga praktikat më të mira ndërkombëtare, ajo që kemi vlerësuar janë aspektet që lidhen me realizimin e këtij ligji”.

Projektligji për “Kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së Cannabis-it dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale” është konsultuar me grupet e interesit, shoqërinë civile, partnerë dhe zyrën e BE në Shqipëri.

Bima e kanabisit për qëllime mjekësore është i legalizuar në mbi 35 shtete, si, Greqia, Izraeli, Danimarka, Kanadaja, Republika e Maqedonisë së Veriut, Holanda. /Albanianpost.com

Read Previous

Arrestohet njeriu që tri herë ishte më i kërkuari në Amerikë

Read Next

Prokurori i FIGC kërkon edhe 20 muaj skualifikim për Andrea Agnelli