Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka zbuluar se klubi katalanas kishte tentuar seriozisht transferimin e sulmuesit të Interit, Lautaro Martínez.
Në një intervistë për “Corriere dello Sport”, Laporta ka konfirmuar se argjentinasi ishte objektivi kryesor i Barcelonës në afatin kalimtar të verës.
“Gjithçka është e vërtetë, e doja Lautaron me çdo kusht”, ka deklaruar Laporta.
Numri një i Barcelonës ka treguar se kishte kontaktuar drejtpërdrejt presidentin e Interit, Giuseppe Marotta, për të mësuar mundësinë e transferimit të sulmuesit argjentinas.
“Është një futbollist i jashtëzakonshëm, nuk donim të na ikte. Kështu që e telefonova presidentin Marotta dhe ai më tha se futbollisti nuk ishte në shitje”, ka rrëfyer Laporta.
Sipas tij, Marotta i bëri të qartë gjithashtu se vendimi nuk do të varej nga vetë Lautaro, pasi Interi dëshironte ta mbante kapitenin e tij.
“Dhe më pas më tha se, në çdo rast, nuk do të ishte lojtari ai që do të vendoste nëse do të transferohej apo jo, sepse Interi donte ta mbante. Kështu, për respekt ndaj Beppe-s, të cilin e vlerësoj shumë, u ndalëm”, ka shtuar Laporta.
Kështu, pavarësisht interesimit të Barcelonës, Lautaro Martínez vazhdoi aventurën e tij në Milano, ndërsa Interi nuk ishte i gatshëm të negocionte për largimin e kapitenit argjentinas. /KosovaPress/