Arrestohet një person në Gjakovë, dyshohet se ushtroi dhunë psikike
Driton Lajçi, pjesëmarrës dhe organizator i protestave studentore të 1 tetorit 1997, ka thënë se ato protesta përfaqësonin një moment të rëndësishëm të kundërshtimit të regjimit serb dhe mobilizimit të shoqërisë kosovare.
Lajçi ka rrëfyer për përgjegjësinë që kishin marrë studentët e asaj kohe për të organizuar protesta në rrethana të vështira politike dhe nën një regjim që, siç tha ai, ushtronte dhunë të vazhdueshme ndaj shqiptarëve.
Ai theksoi se vendimi për të organizuar demonstrata në Universitetin e Prishtinës kërkonte guxim të madh, pasi studentët e dinin se çfarë i priste përballë aparatit policor dhe ushtarak serb.
“Gjithmonë e kam atë që sakrifica dhe përgjegjësia bëhen bashkë. Përgjegjësia që kishim marrë për të lëvizur nga vendi, për gjeneratën e re”, u shpreh Lajçi.
Duke kujtuar rrethanat e asaj kohe, ai tha se shqiptarët përballeshin me diskriminim sistematik, dhunë, plagosje, vrasje dhe bastisje, ndërsa një numër i madh i tyre detyroheshin të largoheshin nga Kosova për arsye ekonomike dhe politike.
Sipas tij, në një situatë të tillë, studentët vendosën të merrnin iniciativën për të kundërshtuar regjimin serb, në një kohë kur partitë politike të asaj periudhe, sipas vlerësimit të tij, nuk po arrinin të ndikonin në ndryshimin e gjendjes.
Lajçi vlerësoi se protestat studentore gjetën mbështetje të gjerë në shoqërinë kosovare, duke përfshirë profesorët, rektoratin dhe shtresa të tjera të popullsisë.
Ai kujtoi se përgatitjet për organizimin e protestave kishin zgjatur rreth gjashtë muaj, ndërsa dita e 1 tetorit 1997 ishte njëkohësisht ditë madhështore dhe festive për studentët, pavarësisht rrezikut që u kanosej.
“Ne e kemi harruar veten, edhe sakrificën tonë, edhe gatishmërinë tonë, duke e ditur çfarë përgjegjësie kemi marrë për ta ngritur popullin në këmbë, për ta ngritur universitetin”, tha ai.
Lajçi theksoi se Universiteti i Prishtinës kishte një traditë të rëndësishme të lëvizjes studentore, duke përmendur demonstratat e viteve 1981 dhe 1989, ndërsa shtoi se shoqëria kosovare priste që studentët të ishin ata që do të hapnin rrugën drejt ndryshimeve.
Duke folur për ndikimin e protestave në zhvillimet e mëvonshme, Lajçi tha se 1 tetori 1997, demonstratat e tjera studentore dhe ngjarjet në Prekaz kontribuuan në masovizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai përmendi një varg aktivitetesh protestuese që u zhvilluan nga tetori i vitit 1997 deri në prill të vitit 1998, duke theksuar se ato përbënin një periudhë të vazhdueshme të mobilizimit studentor.
Në këtë kontekst, Lajçi veçoi edhe protestën e 30 prillit 1998, të mbajtur para Fakultetit Teknik në Prishtinë, ku studentët shqiptarë u përballën me studentë serbë që, sipas tij, kishin uzurpuar konviktet dhe objektet universitare.
Ai tha se gjatë asaj proteste, përballë brohoritjeve pro Serbisë dhe Sllobodan Millosheviqit, studentët shqiptarë brohoritën në mbështetje të UÇK-së.
“Për herë të parë në Prishtinë u brohorit për UÇK-në më 30 prill të vitit 1998, te Fakulteti Teknik”, tha Lajçi.
Ai nënvizoi se protestat studentore të asaj periudhe nuk ishin vetëm një reagim ndaj regjimit serb, por edhe një shprehje e vendosmërisë së shoqërisë kosovare për të kundërshtuar shtypjen dhe për të kërkuar liri. /RTKlive