Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka numëruar shumicën e votave në komunat me shumicë shqiptare, ndërsa në disa prej tyre pritet të zhvillohet balotazh.
Në komunat shqiptare, fitore në rrethin e parë kanë shpallur kandidatët e VLEN-it: Izet Mexhiti në Çair, Daut Beqiri në Haraçinë, Daut Memishi në Tearcë dhe Muhamed Elmazi në Saraj.
Ndërkaq, koalicioni i AKI-së, i udhëhequr nga BDI, ka shpallur fitore pa balotazh në komunat e Likovës, Pllasnicës dhe Çashkës.
Në Tetovë, kandidati Bilall Kasami ka siguruar më së shumti vota, por nuk ka arritur të fitojë në raundin e parë, duke shkuar në balotazh me Bajram Rexhepin. Në Haraçinë, fitues është shpallur Daut Beqiri nga VLEN, ndërsa në Bogovinë po ashtu ka triumfuar kandidati i këtij koalicioni, Feti Abazi.
Në Bërvenicë, Haqim Ramadani nga VLEN prin ndaj rivalëve dhe do të përballet në raundin e dytë me kandidatin e OBRM-PDUKM-së, Jovica Ilievski. Ndërkohë, në Vrapçisht zgjedhjet janë shpallur të pavlefshme për shkak të mosarritjes së censusit.
Në Gostivar, fitues është Valbon Limani nga AKI, ndërsa në Dibër prin kandidati i VLEN-it, Fisnik Mela. Fitoren në Zhelinë e ka siguruar Blerim Sejdiu nga VLEN, ndërsa në Kërçovë, kandidati i OBRM-PDUKM-së, Aleksandar Jovanovski, kryeson dhe do të garojë në balotazh me kandidatin e AKI-së, Fatmir Dehari.
Në Likovë ka fituar Erkan Arifi nga AKI, ndërsa në Saraj prin Muhamed Elmazi nga VLEN. Në Strugë, Mendi Qyra kryeson garën dhe do të përballet në raundin e dytë me Arsim Dalipin e AKI-së.
Në Studeniçan, kandidati i pavarur Azem Sadiku udhëheq garën dhe shkon në balotazh me Ejup Abazin e BDI-së, ndërsa në Tearcë fitues është Daut Memishi nga VLEN.
Në Çair, fitoren e ka siguruar Izet Mexhiti nga VLEN.
Në tërësi, rezultatet tregojnë një dominim të koalicionit VLEN, i cili ka fituar ose udhëheq në shumicën e komunave shqiptare, ndërsa partitë e tjera si AKI dhe BDI kanë arritur rezultate më të dobëta.