Kurti udhëton drejt Francës, paralajmërohet takim trilateral me Vuçiqin

Kryeministri Albin Kurti ditën e sotme do të qëndrojë në Francë për të marrë pjesë në Forumin e Paqes, me ftesë të Presidentit të Francës, Emmanuel Macron.

Kurti mbrëmë ka paralajmëruar se atje mund të ketë një takim trilateral me Presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq.

Kryeministri ka thënë se në tavolinë janë dy propozime, derisa ka shtuar se gjithnjë është i interesuar, për dialog për marrëveshje, për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër.

“I kemi dy propozime në tavolinë: ai imi për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes i prezantuar në takimin e 18 gushtit 2022 në Bruksel, si dhe propozimi franko-gjerman që ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, i prezantuar nga emisarët Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne. Dialogu parimor me të tjerët, sundimi i ligjit njësoj për të gjithë, dhe, paqja e siguria në tërë territorin, shkojnë bashkë”, ka shkruar Kurti.

Takimi i mundshëm Kurti-Vuçiq vjen pas tensioneve në veri të vendit, ku serbët vendosën të largohen nga insitucionet e Kosovës.

Ata po kërkojnë themelimin e Asociacionit dhe tërheqjen e vendimit për targat.

Nisjen e bisedimeve për themelimin e Asociacionit dhe shtyerjen e vendimit për targa po e kërkon edhe ShBA-ja. Sipas ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, bisedimet për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, duhet të fillojnë urgjentisht. Asociacioni sipas tij duhet të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. SHBA’të sipas tij, asnjëherë nuk e kanë mbështetur e as nuk do të mbështesin një aranzhim sikur ‘Republika Srpska’. 

Kështu ka thënë dje Hovenier në një bisedë me disa gazetarë të ftuar në selinë e ambasadës së SHBA’së në Prishtinë. /Reporteri.net/

Read Previous

Mblidhen deputetët, pritet të shqyrtohet Propozim-rezoluta kundër sulmeve ndaj integritetit seksual

Read Next

ATK inkasoi 623 milionë euro për 10 muaj