Kurti shkon në Greqi

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, po merr pjesë në edicionin e 27-të të Symi Symposium, i cili po mbahet këtë javë në ishullin Skiathos të Greqisë.

Në listën zyrtare të pjesëmarrësve të publikuar nga organizatorët, Kurti vijon të prezantohet si “Kryeministër i Kosovës”, pavarësisht se ai mban tashmë funksionin kryeministrit në detyrë.

Në një video promovuese të publikuar nga organizatorët e Symi Symposium, ku prezantohet tema e këtij edicioni, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, shihet përkrah themeluesit të simpoziumit dhe ish-kryeministrit grek, George Papandreou. Kurti shfaqet në pamje pikërisht në segmentin ku theksohet se në këtë simpozium marrin pjesë liderë shtetesh, duke e përforcuar simbolikisht statusin e tij si udhëheqës i Kosovës, pavarësisht se ai nuk është më Kryeministër i Kosovës.

Më 15 korrik, Gjykata Supreme e Kosovës e ka shpallur të kundërligjshëm një udhëzim administrativ të nënshkruar nga deputeti, që akoma ushtron rolin e ministrit në detyrë i Financave, Hekuran Murati, duke konfirmuar se cilido që është betuar si deputet i Kuvendit akoma të pathemeluar të Kosovës nuk mund të ushtrojë edhe funksion ekzekutiv.

Symi Symposium, i themeluar më 1998 dhe i emërtuar sipas ishullit grek ku fillimisht u mbajt, është një ngjarje e përvitshme që mbledh mendimtarë globalë, figura politike, laureatë të Nobelit, diplomatë, shkencëtarë dhe aktivistë për të diskutuar çështjet më të rëndësishme të kohës.

Këtë vit, simpoziumi mbahet nga 13 deri më 17 korrik nën temën: “Paradoksi i Pandorës: Zbulimi i shpresës në një botë të trazuar – kultivimi i paqes, demokracisë dhe shoqërive të qëndrueshme.”

Krahas zhvillimeve të brendshme politike në Kosovë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, po merr pjesë në simpoziumin ndërkombëtar që po mbahet në Greqi. Ndërkohë, nesër në ora 11:00, pritet tentimi i 48-të për të konstituuar Kuvendin.

Albanian Post ka dërguar pyetje drejt organizatorëve të Symi Symposium, por ende nuk ka marrë përgjigje./Albanianpost.com

Read Previous

Gruda: Mbajtja e pozitës së ministrit dhe deputetit përbën vepër penale

Read Next

Polonia: Lufta e Putinit po i afrohet kufijve tanë