Kurti: Investimi në Policinë e Kosovës është investim në paqe dhe siguri

Policia e Kosovës po feston 25-vjetorin e themelimit me një sërë aktivitetesh të ndryshme. Në këtë përvjetor të rëndësishëm, janë organizuar ceremoni dhe manifestime që nderojnë kontributin e zyrtarëve të saj dhe reflektuan mbi arritjet dhe sfidat e këtij institucioni në vitet e fundit.

Kryeministri i vendit Albin Kurti në këtë ceremoni ka theksuar se që nga themelimi Policia e Kosovës ka pasur mbështetje nga OSBE dhe programi ndërkombëtar i asistencës për trajnimin në hetime penale ICITAT nga partnerët e aleatët tanë.

Kryeministri u shpreh se është krenar e mirënjohës për arritjet e policisë së vendit dhe se shërbimi më integritet, dinjitet dhe reagimi me profesionalizëm i bazuar në ligjet tona janë drejtimet mbi të cilat duhet të fuqizohet edhe më tej policia e vendit.

“Veprimet e policisë së vendit në sulmet e një pas njëshme në tri vitet e fundit nga grupet kriminale të dirigjuara nga Serbia e veçanërisht në sulmin terrorist të 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit, kanë dëshmuar se me profesionalizëm dhe guxim arrihen rezultate në misionin e sundimit të ligjit, mbrojtjes së jetës së qytetarëve, sovranitetit shtetëror e të integritetit territorial”, tha Kurti.

Kryeministri ka thënë se shteti i Kosovës mbetet shembull i suksesit.

“Për vlera që promovojnë vendet demokratike shteti ynë mbetet shembull i suksesit dhe kjo natyrisht falë punës së palodhshme të institucioneve tona e veçanërisht të policisë së Kosovës. Policia e Kosovës me plotë 60 gjenerata vazhdon të vlerësohet si institucioni me besueshmërinë më të lartë nga qytetarët tanë”, ka deklaruar ai.

Kurti ka theksuar se si qeveri policinë e Kosovës e kanë mbështetur në të gjitha nevojat, duke theksuar se investimi në mbrojtje dhe siguri është investim për paqe dhe rend. 

“Mbështetja e jonë nuk do të mungojë as në të ardhëm sepse policia duhet të jetë gjithmonë në nivel të lartë të detyrës”, ka theksuar Kurti. /RTK/

Read Previous

Kremlini akuzon SHBA-në për presion të papranueshëm ndaj mediave ruse

Read Next

Trump thotë se do të zgjedhë Musk për të udhëhequr komisionin qeveritar të efikasitetit