Kurti ftoi investitorët ndërkombëtarë të vizitojnë e të investojnë në vend

Kryeministrin në detyrë, Albin Kurti ftoi investitorët ndërkombëtarë të vizitojnë dhe të investojnë në Kosovë, duke theksuar se “në këtë mënyrë fiton Kosova, por fitojnë edhe të gjithë ata që investojnë”.

Një sesion pyetje-përgjigje nga Shtëpia e Kosovës në Davos, kryeministrin në detyrë Albin Kurti, ka reflektuar mbi vlerën e kësaj shtëpie si platformë për ide dhe njerëz, rolin e rinisë si pasuria më e madhe e Kosovës, si dhe atë që e dallon vitin e dytë të pjesëmarrjes në Davos.

“Jemi shumë të gëzuar që Shtëpia e Kosovës në Davos të Zvicrës, në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror, është hapur për herën e dytë. Nëse viti i parë ka qenë viti i ngjarjes, viti i dytë apo hera e dytë e Shtëpisë së Kosovë, është hapi i parë drejt krijimit të një tradite. Këtu, nga njëra anë, prezantojmë kulturën, identitetin dhe atë se kush jemi, ndërsa nga ana tjetër prezantojmë mundësitë për investime ekonomike, për shkëmbime tregtare dhe për bashkëpunime të të gjitha llojeve. Pra, tregojmë jo vetëm kush jemi, por edhe çfarë mund të bëjmë bashkë”, tha Kurti.

Ai theksoi se në qendër të Shtëpisë së Kosovës në Davos janë rinia dhe mërgata, të cilat shpesh janë të përfaqësuara nga të njëjtët persona.

“Djem dhe vajza të reja po mirëpresin në Shtëpinë e Kosovës, si në një vatër talenti, shumë ndërmarrës ndërkombëtarë prestigjiozë dhe po ua prezantojnë mundësitë për të ardhur në Kosovë, ku ekziston një rini e talentuar, energjike dhe njohëse e shumë gjuhëve të huaja”.

Në këtë kontekst, Kurti ftoi investitorët ndërkombëtarë të vizitojnë dhe të investojnë në Kosovë, duke theksuar se “në këtë mënyrë fiton Kosova, por fitojnë edhe të gjithë ata që investojnë”.

Si veçanti e këtij viti në Davos, kryeministri në detyrë theksoi faktin se, në mesin e shumë shteteve dhe korporatave të pranishme, Kosova është ndër 25 shtetet që kanë shtëpinë e tyre përfaqësuese. /RTKlive

Read Previous

63 aksidente trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

Read Next

Ministria e Financave: Me shërbimin elektronik për regjistrimin e furnitorëve eliminohet pritja