Kurti: Fokusi ynë është riorientimi i ekonomisë në drejtim të prodhimtarisë vendore

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të martën se fokusi i Qeverisë është riorientimi i ekonomisë në drejtim të prodhimtarisë vendore.

Këtë deklarim ai e bëri teksa mori pjesë në përurimin e fabrikës së letrës ‘’Royal Paper Cups’’, në fshatin Besi të Komunës së Prishtinës.

Duke kujtuar kohën e pandemisë me COVID-19 dhe sfidat e përballjes me të, Kurti riktheu në kujtesë edhe udhëzimet e profesionistëve që përpos mbajtjes së distancës, higjienës, dhe maskave, rekomandohej, edhe që në vend të gotave të xhamit e të porcelanit, të përdoreshin gotat një përdorimshe të letrës.

“E sot po përurojmë hapjen e një fabrike të prodhimit të gotave prej letre. Vlera investive kalon shifrën mbi një milion euro me synim të rritjes së potencialit prodhues në të ardhmen”, u shpreh kryeministri.

“Pandemia ndër të tjera na pati shpërfaqur një defekt serioz të ekonomisë tonë; varësinë nga importi, dhe mungesën e prodhimtarisë vendore, por sikurse ndërmarrësit që shohin shansin në vështirësi edhe qeveritë duhen që në kriza si ajo e pandemisë të shohin mundësi për reforma”.

Kurti teksa uroi pronarët e kësaj fabrike për këtë investim, bëri thirrje që edhe të tjerët të investojnë në prodhimtari. /Telegrafi/

Read Previous

Klubi letrar “Gjon Nikollë Kazazi” organizon takim me shkrimtarin Arbër Ahmetaj

Read Next

Parashikimi i motit për sot