Kryeministri britanik nuk e përjashton mundësinë për t’u rikthyer në BE

Kryeministri britanik, Andy Burnham ka pranuar se mund të propozojë rikthimin në Bashkimin Evropian, ndërsa shqyrton marrëdhëniet e ardhshme të Mbretërisë së Bashkuar me Brukselin.

Burnham, i cili e ka fajësuar Brexit-in për një dekadë pasigurie dhe përçarjeje, tha se do t’i shqyrtonte “të mirat dhe të këqijat” e të gjitha opsioneve.

Në fjalimin e tij të parë si lider në konferencën e Partisë Laburiste, kryeministri tha se Brexit-i kishte shkaktuar “më shumë dëm sesa dobi” dhe premtoi se do t’i paraqiste opsionet para vendit rreth kohës së një samiti Mbretëri e Bashkuar-BE, që pritet të mbahet më vonë këtë vit.

Ai i tha BBC-së se nuk donte ta linte çështjen “pezull” dhe se dëshironte të ishte i qartë lidhur me atë se “ku duam që të shkojë Britania në dekadën e ardhshme”.

I pyetur nëse dëshironte që Mbretëria e Bashkuar t’i bashkohej sërish bllokut, ai i tha emisionit “Today” se donte t’i “shqyrtonte opsionet”.

“Mund të qëndrojmë siç jemi. Ky është padyshim një opsion, nëse njerëzit mendojnë se ky është vendi i duhur për të qëndruar”, tha ai në emision.

“Mund të shqyrtojmë atë që ka thënë (ish-kancelari konservator) George Osborne për një bashkim doganor, mund të shohim atë që thanë liberal-demokratët në konferencën e tyre për tregun e përbashkët, ose mund të shkojmë deri në fund”, theksoi ai.

Manifesti zgjedhor i Laburistëve në vitin 2024 e përjashtonte mundësinë e anëtarësimit në një bashkim doganor, rikthimin në tregun e përbashkët apo lejimin e rikthimit të lirisë së lëvizjes me BE-në.

Megjithatë, Burnham ka lënë të kuptohet se është i gatshëm të rekomandojë tejkalimin e atyre vijave të kuqe në të ardhmen.

“Ka qartazi opsione që duhen shqyrtuar dhe ne duhet të shohim se çfarë është e realizueshme dhe cilat do të ishin të mirat dhe të këqijat e secilit opsion”, tha ai për BBC-në. /ATSH-DPA/

Read Previous

Kapën në Jarinje dy shtetas të huaj, dyshohet se hynë ilegalisht në Kosovë

Read Next

Cristiano ​Ronaldo kërkon sqarime, sot takimi urgjent me trajnerin e Portugalisë