Krijuesi i kartelit “Sinaloa” gati të lirohet nga burgu

Një gjykatë në Meksikë ka urdhëruar lirimin nga burgu të një bosi famëkeq droge, i cili themeloi kartelin e fuqishëm Sinaloa së bashku me me Joaquín “El Chapo” Guzmán.

63-vjeçari Héctor Palma ka kaluar 28 vitet e fundit në burgjet e SHBA dhe Meksikës, teksa “karriera” e tij si kriminel u bë e njohur për publikun e gjerë përmes serialit të Netflix “Narcos: Mexico”.

Ai u shpall fajtor për trafik droge në vitin 2005, por tashmë mund të lirohet pasi gjykata tha se nuk ka prova të mjaftueshme për të vazhduar mbajtjen e tij.

Avokati i Palma tha klienti i tij i ka shlyer të gjitha detyrimet ndaj drejtësisë kështu që mund të lirohet së shpejti.

Palma është një nga bosët më famëkeq të drogës të viteve 1980 dhe 90. Ai e filloi karrierën e tij kriminale si vrasës me pagesë për Miguel Ángel Félix Gallardo, një nga themeluesit e kartelit të drogës tashmë të zhdukur në Guadalajara.

Kur Miguel Ángel Félix Gallardo u arrestua në vitin 1989, perandoria kriminale u nda në dysh, njëra e kontrolluar nga nipërit Félix, me bazën e saj në Tijuana dhe tjetra e kontrolluar nga Palma dhe Joaquín “El Chapo” Guzmán, me qendër në shtetin Sinaloa.

Dy grupet e ndara shpejt filluan të konkurrojnë me njëri-tjetrin dhe Palma u akuzua se kishte “tradhtuar” Felix Gallardo duke mbajtur të ardhurat nga një dërgesë droge për vete.

Pikërisht në këtë kohë Palma u përfshi në një nga hakmarrjet më të tmerrshme dhe famëkeqe për të përfshirë botën e krimit të Meksikës.

Një burrë venezuelian, Rafael Clavel Moreno, joshi gruan e Palmës, Guadalupe Leija, duke e bindur atë të shkonte në Shtetet e Bashkuara. Pasi arritën në San Francisko, Clavel Moreno e vrau gruan dhe i dërgoi atij kokën e prerë. Më pas Moreno vrau dhe dy fëmijët e mitur të çiftit.

Palma më pas u hakmor duke vrarë familjen e Clavel Morenos, si dhe një numër të afërmish dhe bashkëpunëtorësh të ngushtë të Miguel Ángel Félix Gallardo.

Palma u ekstradua në SHBA në vitin 2007 dhe iu dorëzua autoriteteve meksikane në vitin 2016 pasi kreu dënimin e tij për trafik droge. /alsat.mk

Read Previous

Vendet që lexojnë më shumë libra në botë

Read Next

Miliona njerëz janë zhvendosur nga luftërat dhe fatkeqësitë natyrore në mbarë botën