Kosova bëhet me trajner të ri, zyrtarizohet francezi Alain Giresse

Alain Giresse është trajneri i ri i Kombëtares së Kosovës.

Zyrtarizimi i tij është bërë të mërkurën në një konferencë për media nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK).

Giresse është pasuesi i zviceranit Bernard Challandes, i cili u shkarkua muaj më parë për shkak të rezultateve shumë të dobëta gjatë vitit 2021.

Duke folur për trajnerin e ri, presidenti i FFK së Agim Ademi tha që është shumë i lumtur që Giresse ka pranuar ftesën për ta marrë këtë detyrë, dhe se përvoja e tij si trajner jep siguri për arritjen e objektivave të cilat i ka Kosova.

Giresse, në karrierën e tij ka drejtuar ekipe të mëdha në nivel kombëtar. Gjeorgjia, Gaboni, Mali, Senegali dhe së fundi Tunisia janë ekipet kombëtare në të cilat ai ka ndërtuar karrierë dhe ka fituar përvojë.

Ai po ashtu kishte drejtuar edhe dy ndër ekipet më të njohura franceze si PSG dhe Toulouse.

Dy miqësoret e muajit mars, ato ndaj Burkina Fasos dhe Zvicrës do të jenë testet e para për francezin në krye të Kosovës.

Read Previous

Macroni pret liderët e Ballkanit Perëndimor në konferencën për pajtim

Read Next

174 vjet nga botimi në Itali i gazetës së parë në historinë e shtypit shqiptar