Kontrolloni iOS – mund t’ju ndërpritet përdorimi i Word dhe Excel

Microsoft ka paralajmëruar një problem të mundshëm me paketat Microsoft Office dhe Microsoft 365 në disa pajisje që përdorin sistemet operative iOS dhe macOS.

Sipas kompanisë, Microsoft po ndërpret mbështetjen për pajisjet me versione më të vjetra të sistemeve operative, gjë që mund të çojë në një gjendje që quhet “modalitet me funksionalitet të kufizuar” kur përdoren dokumentet Office.

Në këtë rast, përdoruesit do të mund të hapin dhe printojnë dokumente, por nuk do të mund t’i modifikojnë, ruajnë apo të krijojnë dokumente të reja.

Microsoft thotë se ky ndryshim do të fillojë të zbatohet nga 13 korriku. Për të rikthyer funksionalitetin e plotë, përdoruesit duhet të përditësojnë sistemin operativ të pajisjes së tyre.

Për Mac kërkohet të paktën macOS 12 Monterey ose më i ri, ndërsa për iPhone iOS 17 ose më i ri, dhe për iPad iPadOS 17 ose më i ri. Pas përditësimit të sistemit operativ, mund të përditësohen edhe aplikacionet Office/365.

Nga Microsoft theksojnë se kjo prek si përdoruesit e Microsoft 365 (abonim) në macOS, iPhone dhe iPad, ashtu edhe ata me versione pa abonim si Office 2019 dhe Office 2021 në macOS.

Nëse pajisja nuk mund të përditësohet në versionin e kërkuar të sistemit operativ, Microsoft do t’u dërgojë përdoruesve një email me informacione shtesë në adresën e tyre të regjistruar në llogarinë Office ose 365. /Telegrafi/

Read Previous

Hungaria kufizon vizat e punës për tre shtete – vendim i ri për punëtorët e huaj

Read Next

Asnjë lider i ranglistës nuk e ka fituar Botërorin