Konstituohet Komisioni Hetimor për energjinë i propozuar nga pozita

Këtë të martë është konstituuar Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022.

Kryesues i këtij komisioni është deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Hajdar Beqa, ndërsa Armend Muja nga Lëvizja Vetëvendosje (VV) është zëvendës-kryesues.

Anëtar i këtij komisioni nga PDK-ja është deputeti Rashit Qalaj, ndërsa nga VV-ja janë deputetët Haki Abazi, Arbër Rexhaj dhe Halil Thaçi.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), anëtarë janë Armend Zemaj dhe Rezarta Krasniqi.

Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), anëtare është deputetja Time Kadrijaj.

Nga Lista Serbe (LS) për anëtar është Ljubinko Karadziq, si dhe nga grupi multietnik anëtare është Duda Balje.

Ndryshe, debati për energjinë elektrike në Kosovë ka nisur që nga fundi i vitit të kaluar, kur Kosova u përball me reduktime të rrymës, për shkak të një krize globale të energjisë.

Situata më pas u përkeqësua, për shkak se Kosova nuk mund të mbulonte nevojat e saj me kapacitetet prodhuese të KEK-ut.

KEK në atë periudhë prodhonte deri në 600 megavatë rrymë në orë, ndërkaq konsumi kishte arritur derë në 1,400 megavatë.

/Telegrafi/

Read Previous

Themelohet komisioni për energjinë për periudhën 2006-2022

Read Next

Katër raste të reja pozitive me COVID-19