Zgjedhjet e FIFA-s mund të jenë vendimtare për finalen e Botërorit 2030
Kryediplomati i Kosovës, Glauk Konjufca, në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ka thënë se çelësi për paqe dhe stabilitet në Ballkan mbetet tek njohja e pavarësisë së Kosovës nga të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe NATO’së, shkruan Reporteri.net.
Konjufca ka përmendur njohjet e fundit që i kanë ardhur Kosovës nga katër shtete të OKB’së, derisa u ka bërë thirrje vendeve tjera që pa vonesa ta njohin Kosovën.
“U jemi mirënjohës 121 shteteve anëtare të OKB-së të cilat zyrtarisht e kanë njohur pavarësinë dhe shtetësinë e Republikës së Kosovës. Unë u bëj thirrje shteteve të tjera të OKB-së që pa vonesë të mëtejshme, ta njohin Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, dhe të hapin rrugë për miqësi dhe bashkëpunim të ri për përfitim të ndërsjellë”, ka deklaruar Konjufca.
Në fjalën e tij, Konjufca ka përmendur edhe Gjykatën Speciale. Ai ka thënë se Dhomat e Specializuara duhet t’i raportojnë Parlamentit të Kosovës
“Megjithatë, përfshirja e një aneksi të gjerë mbi Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar përbën një keqkarakterizim të natyrës juridike dhe një tejkalim të autoritetit raportues të UNMIK-ut. Dhomat e Specializuara nuk janë krijim i Rezolutës 1244. Ato nuk u krijuan nga ky Këshill, nuk nxjerrin autoritet prej tij dhe nuk bien brenda mandatit të UNMIK-ut. Dhomat e Specializuara u krijuan nëpërmjet një amendamenti kushtetues të miratuar nga Parlamenti i Kosovës. Baza e tyre ligjore rrjedh nga një shkëmbim dypalësh letrash midis Kosovës dhe Bashkimit Evropian”, ka thënë Konjufca.
Ai ka përsëritur thirrjen e Kosovës për përfundim të mandatit të UNMIK’ut.
Sipas Konjufcës, burimet dhe stafi i OKB-së do të përdoreshin më mirë diku tjetër për të adresuar krizat dhe konfliktet e tjera urgjente.
“Kosova tani është një shtet i pavarur, sovran dhe demokratik që ka arritur normalitetin dhe funksionalitetin, një pikë referimi e mjaftueshme për largimin e UNMIK-ut. Siç demonstrohet nga përfshirja jonë e fundit në Bordin e Paqes, i cili u krijua nga Presidenti Trump, Kosova është e gatshme të kontribuojë në paqen dhe stabilitetin në pjesë të tjera të botës, siç është Forca Ndërkombëtare e Stabilizimit për Gazën, e cila u mandatua nga Rezoluta 2803 e këtij Këshilli, nëntorin e kaluar”.
Konjufca ka thënë se fokusi nuk duhet të jetë në praninë e OKB-së në Kosovë, por në pranimin e Kosovës në OKB.
“Ne besojmë se UNMIK-u duhet të transformohet në një zyrë që do të lehtësonte anëtarësimin e plotë të Kosovës në OKB dhe në agjencitë e mekanizmat e saj. Kjo do të ishte një mënyrë më e qëndrueshme për të përdorur burimet e OKB-së sesa përpjekja për të krijuar një rol që nuk ekziston”, ka thënë Konjufca./Reporteri.net